"Krisja" në veri: Cramon thotë se zgjedhja de jure s'garanton legjitimitet, Kurti premton shërbim për të gjithë qytetarët - NACIONALE

"Krisja" në veri: Cramon thotë se zgjedhja de jure s'garanton legjitimitet, Kurti premton shërbim për të gjithë qytetarët

10 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim eurodeputeten Viola von Cramon me qëllim të diskutimit të zhvillimeve në dialogun e Brukselit dhe procesit paszgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës. Në këtë takim, Kurti tha se kryetarët e zgjedhur në komunat e veriut të Kosovës do të jenë të përkushtuar për t'i shërbyer të gjithë qytetarëve. Ndërkohë, Viola von Cramon ka shprehur shqetësimin e saj për situatën aktuale në veri të Kosovës në një video të postuar së fundi në Twitter. Ajo ka theksuar se "zgjedhja de jure nuk do të thotë se ekziston legjitimitet për të hyrë me forcë në objektet komunale."

Pasi zhvilloi takimin me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Kurti ka përdorur platformën e tij në Twitter për të njoftuar për diskutimet e zhvilluara. Sa i përket zhvillimeve të fundit në veri, Kurti njoftoi t'ia ketë bërë me dije zonjës Cramon se kryetarët e zgjedhur në ato komuna do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

"Takimi i hershëm me Violavon Cramon dhe ekipin e saj për të diskutuar zhvillimet në dialogun e Brukselit dhe procesin paszgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës. Faleminderit për mbështetjen në rrugën e anëtarësimit në Keshillin e Europës. Theksova se kryetarët e zgjedhur do t'u shërbejnë të gjithë qytetarëve", - njoftoi Kurti në Twitter.

"Situatë e vështirë dhe e tensionuar"

Në një video të postuar së fundi në llogarinë e saj në Twitter, Viola von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, shprehu shqetësimin e thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës.

Cramon theksoi nevojën për shqyrtim të kujdesshëm të masave të ndërtimit të besimit, zgjidhjeve të zgjuara dhe strategjive të qëndrueshme për të nxitur besimin mes qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

Gjatë vizitës së saj, Cramon njoftoi se u angazhua në diskutime të gjera me përfaqësues të shoqërisë civile, opozitës, forcave policore dhe institucioneve të ndryshme në rajon.

Ajo theksoi se të qenit i zgjedhur de jure nuk do të thotë se ekziston forcë legjitime për të hyrë forcë në objektet komunale.

“Duhet ta pranojë se është situatë e vështirë dhe e tensionuar. Kemi parë shumë automjete të armatosura, forca të armatosura dhe unë nuk e di nëse kjo është ide e mirë, në këtë situatë që të hyjnë me forcë kryetarët e zgjedhur në ndërtesat e komunave. Edhe nëse jeni zgjedhur de jure, nuk do të thotë se keni forcë legjitime dhe qeverisje të mirë për të hyrë realisht në këto ndërtesa. Duhet të mendojmë për të gjetur zgjidhje një mënyrë të qëndrueshme të ndërtimit të besimit me qytetarët në veri të Kosovës”, tha në një video raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Reagime të ashpra

Në vazhdën e zhvillimeve dramatike në pjesën veriore të vendit, qeveria e Kurtit është ekspozuar ndaj një reagimi tejet të ashpër pas vendimit për t'i futur me forcë kryetarët e zgjedhur të komunave veriore brenda objekteve komunale.

Situata e krijuar atje dhe kërcënimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të dërguar ushtrinë rriti shqetësimet e aleatëve të Kosovës, në vazhdën e frikës nga një përshkallëzim i situatës që mund të shkaktojë akte të mëtejshme të dhunshme dhe paqëndrueshmëri.

Ndër reagimet më shqetësuese ishte ai i Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, i cili dënoi ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës, madje i bëri thirrje direkt kryeministrit Kurti që të ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë brenda ndërtesave komunale në veri, veprime që i morri përkundër këshillave të ShBA’së dhe partnerëve evropianë. Këto veprime ashpërsisht dhe panevojë kanë përshkallëzuar tensionet, duke minuar (gërryer prej së poshtmi) përpjekjet tona për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”, shkroi Anthony Blinken.

I bëjmë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ndërrojë kurs dhe të gjitha palëve të pëmbahen nga veprimet e mëtejme që do të ndiznin tesnione dhe të promovonin konflikt”, përfundonte komunikata.

Ndonëse në reagimin e Sekretarit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken u tha se veprimet e djeshme ishin “në kundërshtim me këshillat e SHBA-së dhe partnerëve evropianë”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se nuk është shumë i shqetësuar për këtë situatë, duke shprehur madje bindjen e tij se Kosova vazhdon të gëzojë mbështetjen e vendosur të Perëndimit.

Përkundër faktit se reagimet e djeshme të aleatëve të Kosovës për situatën në veri zbuluan mungesën e koordinimit, duke komentuar këtë, Kurti në një prononcim të fundit për RTV Dukagjinin, shpreh besimin se qeveria e Kosovës gëzon mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë.

“E kemi mbështetjen e ndërkombetarëve dhe mirë po shkon puna”, - tha Kurti.

Lajme të ngjashme