Krimi në Gjilan: E detyronte viktimën të kryente shërbime seksuale, arrestohet gjilanasi - NACIONALE

Krimi në Gjilan: E detyronte viktimën të kryente shërbime seksuale, arrestohet gjilanasi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Për muaj me radhë i dyshuari L.B kishte ushtruar presion ndaj një vajze me inicialet M.R nga rajoni i Gjilanit. L.B, po ashtu nga rrethina e Gjilanit, po e detyronte M.R-në që të kryente shërbime seksuale me klientë të cilët ai në baza ditore ia gjente asaj, raporton Nacionale.

Ky person i cili tashmë është në pranga të Policisë, ishte vënë në rrolin e ndërmjetësuesit, ku për çdo klient që ia gjente të dëmtuarës M.R, i merrte nga 20 euro për shërbimin.

Por nuk shkoi kohe e gjatë deri kur Policia e Kosovës u vë në dijeni për krimin që ky person po e bënte.

Andaj, zyrtarë të policisë arrestuan këtë të dyshuar.

Për rastin, Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurit L. B.

Sipas komunikatës për medie ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në mënyrë të vazhdueshme ka organizuar dhe ndihmuar për qëllime të ushtrimit të prostitucionit.

“I dyshuari ka gjetur klientë për t’i shfrytëzuar shërbimet seksuale të dëmtuarës M. R., ashtu që i pandehuri fillimisht kontakton me klientë të ndryshëm, paraprakisht dakordohet për shumën prej 20 Euro të cilat i merrte për vete si ndërmjetësues, e më pas i njëjti i vë në kontakt me të dëmtuarën, të cilët më pas takoheshin nëpër hotele të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale mundësimi ose detyrimi në prostitucion, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës, caktimi i masës së paraburgimit në rastin konkret është i nevojshëm.

E ndërkohë një pjesë e moteleve, hoteleve, e qendrave të masazhit në vend, duket se janë kthyer në qendra të seksit. Nuk janë të rralla rastet që në të tilla lokale, ushtrohet prostitucion. Vetëm gjatë vitit të kaluar për këtë vepër janë vënë pas prangave dhjetëra. Gjatë së njëjtës periudhë kohore, Policia ka kontrolluar mbi 270 motele, hotele, e lokale nën dyshimin për këtë veprimtari.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në pesë vitet e fundit janë arrestuar rreth 500 persona si të dyshuar për marrje me prostitucion.

Vitet me më së shumti të arrestuar për këtë vepër po del të kenë qenë 2016-ta dhe 2017-ta. Por, bazuar me numrin e të arrestuarve gjatë vitit 2018, numri i këtyre rasteve ka shënuar rënie.

Ndryshe, bazuar në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, veprimtaria e Marrjes me Prostitucion është e ndaluar dhe e sanksionuar me ligj, përkatësisht Ligji mbi Rendin dhe Qetësinë Publike nr. 03/L-142 neni 7.

Sipas këtij ligji, kushdo që përfshihet në një akt seksual të prostitucionit mund të dënohet me gjobë ose burgim.

“Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej njëqind (100) deri nëntëqind (900) Euro, apo me dënimin me burg deri në gjashtëdhjetë (60) ditë”, parasheh Ligji. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme