“Krim ordiner”: Policia del me komunikatë për gjuajtjen me armë që Lista Serbe pretendonte se u bë ndaj nxënësve serbë - NACIONALE

“Krim ordiner”: Policia del me komunikatë për gjuajtjen me armë që Lista Serbe pretendonte se u bë ndaj nxënësve serbë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka dalë me komunikatë për media në lidhje me rastin e para dy ditësh, ku dyshohej se disa persona kanë gjuajtur me armë në fshatin Uglarë.

Policia ka bërë të ditur se nga informacionet e para, të shtënat kanë ardhur nga një automjet në lëvizje, dhe nuk kanë pasur cak ndonjë individ apo objekt të caktuar.

“Informacionet e para si dhe shikimi i pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë në perimetrin përreth, tregojnë se të shtënat kanë ardhur nga një automjet në lëvizje dhe nuk kanë pasur për cak ndonjë individ apo objekt të caktuar.” – thuhet në komunikatë.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja, që rezultojnë të jenë të armës me gaz.

“Të gjitha indicet që deri më tani janë trajtuar nga ana e policisë sugjerojnë që rasti të jetë brenda suazave të një krimi ordiner.– është thënë tutje në komunikatë.

Ndërkohë, në lidhje me këtë rast pati shumë reagime kjo pasi që Lista Serbe pretendoi se u gjuajt me armë drejt shkollës serbe në këtë fshat.

Po ashtu, kjo parti politike pretendonte se personat që kanë gjuajtur me armë kanë folur në gjuhën shqipe.

“Fatmirësisht, asnjë prej fëmijëve nuk u lënduan në këtë sulm, por kjo ka shkaktuar frikë dhe mërzitje tek serbët që jetojnë në Kosovë, veçanërisht në qendër të saj.” – thuhej në një njoftim të tyre.

Lajme të ngjashme