Krejt sytë kah votimi i nesërm në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, shteti optimist se kalon raporti i Bakoyanis - NACIONALE

Krejt sytë kah votimi i nesërm në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, shteti optimist se kalon raporti i Bakoyanis

2 javë më parë

nga NACIONALE

Seanca e parë e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentasre të Këshillit të Evropës çel një prospekt tejet të ndritshëm për Kosovën në përparimin e vendit drejt anëtarësimit në këtë organizatë paradhomë të Bashkimit Evropian.

Tashmë që pritet të debatohet dhe vendoset në votim raporti i Raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyanis, e cila rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE – por ama, me një numër kushtesh të hidhëta – krerë shtetëror veçse janë nisur për Strasburg, prej tyre, siç merr vesh Nacionale, edhe vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Edhe Serbia – ndonëse e angazhuar në një fushatë të egër kundër këtij procesi – e jep për fakt të kryer që nesër në Asamblenë Parlamentare raporti rekomandues i Dora Bakoyanis “do të kalojë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova “ka nxjerrur një truk” që më 10 maj të miratojë me dekret draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe dhe dërgimin e saj për rishikim kushtetues në mënyrë që të sigurojë votat në instancën finale – në Këshillin e Ministrave të KiE-së, mbledhje e cila mbahet në mes të majit.

Për këtë pretendim të Aleksandar Vuçiqit ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Qeveria e Kosovës; e cila gjer më sot ka refuzuar të tregojë nëse e ka pranuar ose jo këtë draft-Statut të ofruar nga BE: draft ky i cili për ekspertët kushtetues është lexuar të ofrojë një autonomi të gjerë territoriale për komunitetin serb në Kosovë që banon në dhjetë komuna të banuara me shumicë serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme në një komunikatë për media tha se Serbia është duke zhvilluar propagandë dhe obstruksion ndaj antëarësimit të Kosovës në KiE; në të njëjtën kohë duke u shprehur të bindur se shtetet anëtare në KiE “e shohin si të pabazuar” angazhimin pengues të Beogradit.

Propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht e egër dhe bie në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e vitit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Por shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të KiE-së vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”, ka shkruar MPJ në një komunikatë lëshuar për media.

Optimistë për procesin janë shprehur edhe nga opozita kosovare të cilët janë pjesë e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ndarë përmbajtjen dy-ditore të nisjes së sesionit pranveror ku do të shqyrtohet dhe votohet raporti i Bakoyanis.

Njoftimi i Tahirit pa ndërhyrje:

Dy ditë historike në Strasburg!

Sonte po vazhdojmë si delegacion rrugëtimin për Kosovën në Strasburg. Janë dy ditë, e hëna dhe e martja kur do të ketë votime në komitete dhe në Asamble Parlamentare, janë dy ditë historike.

Dita 1:

Të hënën, më,15 prill 2024, nga ora 14:00 -15:15, Komiteti për Barazi dhe Mos diskriminim, te pika e katërt e rendit të ditës do të diskutojë raportin për aplikimin e Kosovës në APKE. Po ashtu, të njëjtën ditë, në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut do të diskutojë raportin për aplikimin e Kosovës në APKE.

Dita 2:

Të martën, më 16 prill 2024, mbahet takimi i Asamblesë Parlamentare. Ky sesion pranveror i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës është i një rëndësie historike. Këtë ditë, diku rreth orës 16:00, do të zhvillohet debat për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në këtë sesion do të diskutohet raporti i znj. Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve e prezentë.

Asambleja Parlamentare i ka 46 shtete anëtare me gjithësej 302 anëtarë plus 306 zëvendësues. Janë 34 shtete që na kanë njohur, ndërsa 14 që nuk na kanë njohur. Në qoftë se votimi është i sukseshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024.

Po ashtu, të martën nga ora 10:30-12:30, Komiteti për Politikë dhe Demokraci, në sallën 9, do të diskutojë për raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin do të flasë raportuesja për Kosovën, znj. Bakoyannis. Në këtë takim do të paraqiten edhe dy raportet e tjera të dy komiteteve që kanë ndihmuar në hartimin e opinionit konsultativ.

Procesi i votimit në tërësi do të jetë sfidues, disa vende si Spanja dhe të tjera kanë folur hapur kundër anëtarësimit tonë, por besoj kësaj radhe do të triumfojmë, pasi që mbështetja e vendeve mike është e parezervë ndërsa angazhimi i Delegacionit ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë unik e serioz.

Lajme të ngjashme