Krejt Lista Serbe në Rudarë, u prijnë protestuesëve
Një protestë e madhe është paralajmëruar në Rudarë nga serbët e vendit tonë. Çka saktësisht po ndodh?
Ekipi i Nacionales tashmë ka arritur në vendin e ngjarjes dhe njofton redaksinë se kolona për të mbërritur në Rudarë është shumë e gjatë.
Në protestë janë parë kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç, si dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie.

Sa i përket pjesëmarrësve Gazetari i Nacionales që po raporton nga veriu i vendit, Festim Gërguri ka thënë se janë parë vetura kryesisht me tabela 06, 02 e 01.
“Kryesisht veturat janë me targa 06, 02 dhe 01.”
Kujtojmë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, iu bëri thirrje edhe qytetarëve nga jugu i vendit që të merrnin pjesë në këtë protestë.
Me anë të një postimi në Instagram, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka folur në lidhje me këtë protestë duke iu dhënë ‘zemër’ protestuesve.
Ai u shpreh se kjo do të ishte një “protestë e madhe, popullore dhe demokratike e serbëve nga Kosova dhe Metohia, nga veriu dhe jugu dhe nga të gjitha zonat ku jetojnë serbët.”
Sipas presidentit të Serbisë, serbët po kërkojnë vetëm atë që u takon. Çka është ajo sipas Vuçiqit?
“Të jesh i lirë, të kesh të drejtën e lëvizjes, të shkojë në shkolla e spitale, të mbrojë jetën dhe perspektivën e fëmijëve, lirimin e të arrestuarve pa arsye...” – u shpreh z. Vuçiq.

Çka thotë Policia e Kosovës?
Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në të cilën flet për protestën e sotme të paralajmëruar në veri të Mitrovicës.
“Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.” – thotë mes tjerash Policia.