Krasniqi: Po gjykohet UÇK-ja si organizatë, dhe jo vetëm individët
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka shkruar një status për aktakuzën e lexuar sot nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Më anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se në Hagë po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës si organizatë, e jo vetëm individët.
“Nga paraqitja e sotme e akuzës nga prokurorët e Gjykatës Speciale, për fillim mund të ngrihen këto hipoteza: E para, në bangën e zezë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës si organizatë, e jo vetëm individët. Pse? Sepse prokurorët përdorën dokumentet zyrtare të UÇK-së, hartat e zonat, folën për strukturat e saj dhe për politikat e saj, me synimin që të argumetojnë fajësinë e Shtabit të Përgjithshëm”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje, ai ka thënë se disa nga akuzat ishin madje edhe absurde.
“E dyta, akuza se janë ndërmarrë aksione kundër stacioneve policore të Serbisë dhe kundër figurave kolaboracioniste, përfshirë ish rektorin Papoviq, në kontekstin e një lufte të armatosur, duket e çuditshme. Një organizatë çlirimtare cak legjitim i ka objektet dhe subjektet që identifikohen me pushtuesin. E treta, citimi i librave si libri “Kthesa e madhe”i Jakup Krasniqit, si material inkriminues, duket absurd. Logjikisht i bie që po të kishte gjëra për të fshehur, autori nuk do t’i ndante me publikun”,ka shkruar ai.
Profesori dhe ish-zyrtari i LDK-së, ka shtuar se edhe nëse ka pasur krime ndaj civilëve për këtë nuk mund të fajësohet Shtabi i Përgjithshëm.
“E katërta, edhe nëse janë bërë krime ndaj civilëve të pafajshëm, gjë që nuk përjashtohet, por mbetet të vërtetohet nga dëshmitarët në vazhdimin e procesit, kjo vetvetiu nuk e ngarkon me fajësi as Shtabin e Përgjitshëm e as katër të akuzuarit në këtë proces. Fajësia duhet të adresohet te kryesit e atyre akteve të dhunshme. Pse? Sepse në çdo luftë ka raste të daljes së individëve a grupeve jashtë kontrollit, jashtë urdhërave”, ka shtuar ai.
Çka ndodhi në Hagë?
Pas një pritje për më shumë se 2 vjet e gjysmë, ka nisur edhe zyrtarisht gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në Hagë u mbajt seanca e parë hapëse ku Prokuroria pati 5 orë kohë për ta thënë fjalën e saj. Përderisa jashtë objektit mijëra protestues ishin mbledhur nga diaspora, duke kërkuar drejtësi për krerët e UÇK-së.
Ashtu siç u deklaruan qysh kur u arrestuan, ashtu u deklaruan edhe 2 vjet e gjysmë pas. Katër ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përsëritën se janë të pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës. Disa patën vërejtjet për vonesat në nisjen e gjykimit.

