Krasniqi në 13 vjetorin e konfirmit të pavarësisë së Kosovës nga GJND: Nderojmë sakrificën e madhe ndër breza të popullit tonë
Në 13 vjetorin e konfirmimit të legalitetit dhe legjtimitetit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si instanca më e lartë e interpretimit të së drejtës ndërkombëtare, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se sot edhe 13 vite pas “kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e madhe ndër breza të popullit tonë dhe luftën e shenjtë e çlirimtare të UÇK-së”.
Shkrimi i Memli Krasniqit:
Si sot, 13 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Me vullnetin dhe përpjekjen për shtetformim të një lidershipi vizionar, në koordinim me miq e aleatë e jo kundër tyre, me dashuri e përkushtim për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë dhe jo duke e rrezikuar atë - shpallja e pavarësisë është suksesi ynë më i madh historik.
Prandaj, edhe sot, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e madhe ndër breza të popullit tonë dhe luftën e shenjtë e çlirimtare të UÇK-së.
Krenarë, sot e përjetësisht, me shtetin dhe qytetarët tonë liridashës!