Krasniqi: Komunat që s’udhëhiqen nga VV, u diskriminuan në mënyrë të egër në ndarjen e buxhetit - NACIONALE

Krasniqi: Komunat që s’udhëhiqen nga VV, u diskriminuan në mënyrë të egër në ndarjen e buxhetit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shkruar në Facebook, se propozimi i Qeverisë për ndarjen e buxhetit për komunat, është diskriminimi më i egër në historinë e Kosovës.

Sipas Krasniqit, komunat që nuk udhëhiqen nga LVV janë diskriminuar, duke iu ndarë vetëm 40 % e buxhetit, anipse përbëjnë 88 % të popullsisë. Ndërsa ato që udhëhiqen nga VV, që përbëjnë 11 % të popullsisë, kanë marrë buxhet prej më shumë se 59 %.

Krasniqi ka kërkuar edhe nga deputetët e shumicës, që të mos aprovohet ky buxhet.

E plotë:

Derisa për katër komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Qeveria ka ndarë më shumë se gjysmën e buxhetit për investime të reja kapitale për vitin 2024, për katër komuna që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës - Ferizajn, Skënderajn, Kaçanikun e Hanin e Elezit, nuk është ndarë asnjë cent.

Gjilani, Shtimja, Kamenica dhe Podujeva përbëjnë 11.6 % të popullsisë së Kosovës, ndërsa u është ndarë 59.5 % e buxhetit për investime të reja kapitale.

Ndërkaq, për të gjithë të tjerët, që janë 88.4 % e popullsisë, Qeveria ka ndarë vetëm 40.5 % të këtij buxheti.

Ky është diskriminimi më i egër institucional ndaj qytetarëve në historinë e Kosovës, që prej çlirimit të vendit tonë.

Kultura politike në Kosovë ka nevojë të shtensionohet e të rritet bashkëpunimi, jo të instalohet kjo kulturë e hakmarrjes dhe diskriminimit.

Kjo qasje e Qeverisë kundër qytetarëve të komunave të cilat nuk i drejton partia në pushtet është shantazh i ulët politik.

Unë ftoj edhe deputetët e Vetëvendosjes, krahas atyre të opozitës, që me votën e tyre të mos e vulosin këtë propozim diskriminues të Qeverisë.

Është e turpshme dhe e papranueshme të votohet për një buxhet të tillë.

(*Raporti i Institutit GAP)

Lajme të ngjashme