Krasniqi i PDK-së: Nuk do të flasim për beteja politike, kemi një betejë të rëndësishme për Kosovën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se kjo parti mbështet propozimin për një rezolutë të deputetëve në dënim të sulmit terrorist në veri.
Krasniqi në Kuvendin e Kosovës u shpreh që nuk do të flitet për beteja të brendshme politike, pasi aktualisht, ka një betejë tjetër të rëndësishme.
“Kjo nuk mund të jetë një seancë e zakonshme, as fjalimet tona. Në emër të PDK-së, mbështesim propozimin për një rezolutë të përbashkët të deputetët për të dënuar sulmin terrorist ndaj vendit tonë. Nuk do të flasim për beteja të brendshme politike, e kemi një betejë tjetër të rëndësishme përpara, Kosovën, vendin tonë.” – u shpreh ai.
Ai deklaroi që PDK e ka të qartë që ky sulm e pati adresën në Beograd.
“Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë, që organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist e ka adresën në Beograd. Konfirmimi i përfshirjes i Radojicqit, armatimi i terroristëve, strehimi në Serbi, lartësimi si heronj, tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupit me shtetin serb.” – tha ai.
Po ashtu, Krasniqi bëri thirrje te komuniteti ndërkombëtar që të fillojë një hetim për vërtetimin e përfshirjes së shtetit serb në këtë sulm.
“PDK është e përkushtuar që interesat e shtetit, t’i vë mbi të gjitha, i bëj thirrje komunitetin ndërkombëtar që të nis hetim për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb.” – tha ai.