Krasniqi e Abdixhiku i përshëndesin ambasadorët, Kurti jo: Kori diplomatik i zhgënjyer me partitë politike
Në tentativën e 52-të deputetëve për të konstituuar Kuvendin sot kanë marrë pjesë edhe ambasadorët e vendeve mike të Kosovës. Pas dështimit të kësaj tentativa, ata janë shprehur të zhgënjyer me partitë politike që nuk po arrijnë një ujdi për formimin e institucioneve të reja.
Prezenca e korit diplomatin në sallën e Kuvendit për të përcjell nga afër tentativën e radhës të deputetëve është injoruar nga kryetari i VV-së, Albin Kurti. Ky i fundit, i cili e mban edhe postin e kryeministrit në detyrë nuk ka shkuar fare t`i përshëndes ambasadorët e vendeve mike, të cilët ishin prezent në sallë pas disa muajve.
Ndryshe nga Kurti kanë vepruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Këtë të fundit, porsa kanë hyrë në sallë kanë shkuar të vendet ku ishin ulur ambasadorët për t`i përshëndetur ata.
Pavarësisht sjelljes së Kurtit, Krasniqit e Abdixhikut, ambasadorët janë shprehur të zhgënjyer me moskrijimin e institucioneve të Kosovës.
Pas dështimin të seances, ata kanë folur për nevojën që ka Kosova për formimin e institucioneve të reja.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ngërçin politik.
Ai ka vlerësuar se sot ishte optimist se partitë do të gjenin një kompromis.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, ka deklaruar Orav.
Edhe ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargrevas, ka kërkuar nga liderët e partive të gjejnë zgjidhje para se të përfundojë afati nga Gjykata Kushtetuese.
Ai ka thënë se Kosova po hyn në territor të panjohur.
“Sot, përfaqësuesit diplomatikë të miqve të Kosovës vunë re dështimin e 52-të radhazi për të konstituuar Kuvendin. I bëj thirrje politikanëve të Kosovës të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t'i dhënë fund bllokimit përpara se afati i Gjykatës Kushtetuese të përfundojë nesër. Përndryshe, Kosova po hyn në një territor të panjohur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka shkruar ai.
Kurse, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka marrë pjesë në tentativën e 52-të të deputeteve për konstituim të Kuvendit.
Pas dështimit të kësaj seanca, ai ka shprehu shqetësimin e tij për ngërçin politik.
“Jemi këtu për ta theksuar shqetësimin tonë dhe urgjencën për të formuar institucionet. Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një karton i kuq për ata qe nuk konstituojnë Kuvendin”, ka deklaruar ambasadori gjerman.