Krasniqi: 14 shkurti 2021 nuk ishte thjesht aksident, por gjerat kanë ndryshuar, 9 shkurti 2025 do të jetë befasi
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi në emisionin “Debat Plus” ka thënë se beson se zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë befasi, ashtu siç ishin zgjedhjet komunale.Sipsa tij 14 shkurti 2021 s’ishte aksident, por njerëzit u mashtruan duke e “provuar” Kurtin.
“Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 nuk ishin aksident, por a janë mashtruar apo jo do ta shohim më 9 shkurt 2025. Unë e kuptoj votën “hajt ta provojmë”, por tash në këto zgjedhje qytetarët duhet të zgjedhin dhe të reflektojnë edhe duke u bazuar në atë se sa të kënaqur janë ata me qeverisjen e Kurtit. A po jetojnë më mirë? A ka ndryshuar jeta e tyre në mënyrë kualitative apo jo?
Mua më kujtohet se në zgjedhjet komunale nëpër studiot televizive thuhej se Vetëvendosje do të jetë fituese e atyre zgjedhjeve, por që doli se PDK i fitoi ato. Unë besoj se sikurse ato zgjedhje ishin befasi edhe zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë befasi.”
I pari i PDK-së foli edhe për kandidatin e tyre për Kryeministër Bedri Hamza për të cilin tha se është Kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova.
“Besoj që edhe në raste të tjera pas nominimit nga ana ime të Bedriut si kandidat për kryeministër, dhe unë besoj plotësisht që do të jetë edhe kryeministri i ardhshëm, jam munduar që ta shpjegoj. Ndërlidhet edhe më këtë video që e paskët shkëputur nga dita kur bashkëpartiakët e mi ma kanë dhënë besimin që ta udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha po e jap një përgjigje të shkurtër, sepse jam i bindur siç kam qenë para se t’i them edhe Bedriut, që Bedri Hamza është kryeministri ma i mirë që mund ta ketë Kosova sot. PDK-ja siç thatë, ka kaluar në një fazë të vështirë në vitin 2020-2021 dhe për mua më shumë siç e thashë dhe vazhdoj ta besoj njëjtë siç e kam thënë në 3 korrik të 2021-tës, ka qenë më shumë përgjegjësi se sa ambicie që të jem kryetar i PDK-së.”
Ai tutje shpjegoi edhe për sfidat që kaloi Partia Demokratike e Kosovës pas arrestimit të Kryetarit të Partisë Kadri Veseli nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Megjithatë numri dy në listën e partisë më të madhe opozitare, shtoi se fokusi i kësaj partie mbetet kah e ardhmja.
“Si parti, ne gjithmonë kemi reflektuar dhe kemi vepruar konform, ne besojmë nevojave të kohërave qoftë në themelimin e partisë, qoftë në vitin 2007 para shpalljes së pavarësisë, qoftë në 2014-tën kur patëm një rënie në zgjedhjet lokale, e besa edhe në vitin 2021 kur përjetuam, e them lirisht një traumë politike pas arrestimit të ish-kryetarit Veseli, presidentit Thaçi, zotit Krasniqi, Selimi dhe te tjerëve.
Andaj edhe në rrugëtimin e ditëve të para kur kam pasur ta nominoj e ta aprovoj Kryesinë e re, kam kërkuar që të kem besimin e bashkëpartiakëve për çka edhe i falënderoj edhe publikisht të gjithë, sepse kam dashur që ta fillojë një kapitull të ri, i cili siç e thashë, e respekton trashëgimin dhe të kaluarën, por fokusin e ka kah e ardhmja”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi u zotua se nën qeverisjen e PDK-së masat e BE-së ndaj Kosovës do të hiqem Sipas tij ai edhe si opozitar ka lobuar që këto masa të hiqen. Por nëse PDK do të jetë në pushtet i pari i kësaj partie, s’ka asnjë dyshim se kjo do të ndodh.
“Unë sot iu them me bindje të plotë dhe iu zotohem: me një qeveri të udhëhequr nga PDK-ja, për disa muaj do t’i heqim masat sanksionuese. Unë personalisht kam lobuar që nga momenti kur ato janë vendosur.
Nëse (ish-komisionari për Zgjerim i BE-së) Várhelyi, ka qenë një nga personat kryesorë që ka shtyrë përpara këto masa. As Kurti, as Gërvalla, as Bislimi dhe asnjë zyrtar tjetër i Qeverisë nuk e ka takuar për t’i kërkuar heqjen e masave. Vetëm unë e kam takuar. Nuk ishte përgjegjësi e imja, pasi unë jam në opozitë. Por unë e kam marrë këtë iniciativë, kam shkuar në takim dhe kam qëndruar një orë në zyrën e tij. I kam thënë se duhet të ndihmojë për heqjen e masave, sepse ato janë një gabim, dhe unë jam i bindur për këtë.
Besoj se me përbërjen e re të Komisionit Evropian dhe me ndryshimet në Këshill, PDK-ja do të luajë rolin kryesor në heqjen e masave sanksionuese të BE-së” – tha Kryetari i PDK-së.