Kraki e merr Gërvallën në Paris për të ligjëruar, ajo thotë se studentët u interesuan për të ardhur në Kosovë
Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka ligjëruar në një universitet në Paris, me ftesë të deputetit të zgjedhur tashmë, Nezir Kraki.
Sipas Gërvallës, aty u fol për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Tutje, ajo ka thënë se studentët shprehën interesim për të ardhur në Kosovë, e madje edhe për të kryer praktikë.
“Në bashkëbisedim me studentët, theksova se Kosova mbetet një histori suksesi në Ballkan, një vend që ka dëshmuar përkushtim ndaj vlerave evropiane, ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme dhe forcimit të demokracisë. Megjithatë, procesi i integrimit nuk është vetëm një synim për ne, por edhe një domosdoshmëri për vetë Evropën, e cila nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Ishte mbresëlënëse të shihja sa shumë interes dhe kuriozitet kanë studentët e këtij institucioni për Kosovën dhe rajonin tonë. Diskutimi ishte i gjallë, me pyetje të mprehta dhe debate të vlefshme mbi dinamikat gjeopolitike dhe perspektivën evropiane. Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë verë shumë studentë të prof. Krakit shprehën interesim për të ardhur në Kosovë dhe për të kryer një praktikë dy mujore” – ka shkruar Gërvalla në një postim në Facebook.