KQZ mban mbledhje: Mbi 33 mijë votues të rinj në zgjedhjet e tetorit
Në një mbledhje të mbajtur të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prezantuar raportin mbi Listën Preliminare të Votuesve për zgjedhjet lokale që mbahen më 12 tetor.
Sipas këtij raporti, në listë përfshihen gjithsej 2,067,998 votues, që paraqet një ulje prej 7,870 votuesve krahasuar me Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Në këtë listë për herë të parë do të votojnë 33,540 votues të rinj, prej të cilëve:
- 26,654 kanë mbushur 18 vjeç pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale;
- 6,886 janë votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil ose kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i votuesve të larguar nga lista që nga Zgjedhjet për Kuvendin është 41,410, për shkak të arsyeve të ndryshme, duke përfshirë:
- 6,276 persona të vdekur sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrit Civil;
- 340 persona që kanë humbur shtetësinë e Kosovës;
- 2,967 persona të vdekur, të evidentuar nga krahasimi me regjistrin e Departamentit të Pensioneve;
- 117 persona të larguar për shkak të marrjes së së drejtës së zotësisë së veprimit;
- 471 persona mbi 100 vjeç, të larguar pas krahasimit me të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës;
- 31,239 persona të larguar pasi janë kategorizuar si të paverifikuar, të cilët figurojnë në regjistrin e Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve, por nuk figurojnë në regjistrin e Gjendjes Civile.