KQZ-ja në Shqipëri nuk e regjistron PD-në për zgjedhjet e 14 majit
Komisioni Qendror i Zgjedhje në Shqipëri nuk e ka regjistruar PD-në e Sali Berishës për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Pas diskutimeve të shumta në mbledhjen e sotme, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka thënë se kjo parti nuk mund të regjistrohet për këto zgjedhje.
Sipas tij, kërkesa e PD-së nuk ka bazë ligjore.
“Ka vetëm një person juridik me emrin Partia Demokratike dhe në këtë seancë po shqyrtojmë kërkesën e këtij subjekti. Nga momenti që kërkuam dokumentacionin e plotësuar nga ana e PD me qëllim për të përmbushur të gjitha kushtet për regjistrim dhe meqënëse nuk ka asnjë dokument, jemi në të njëjtën situatë me seancën e shkuar. Meqë nuk kemi asnjë dokument shtesë, ne do japim shqyrtimin tonë për kërkesën e subjektit”, ka deklaruar ai.
Celibashi ka treguar se sipas dokumentacionit në KQZ kryetar i PD-së është Lulzim Basha dhe jo Sali Berisha.
“Nuk marr fare në konsideratë konfrontimin tuaj të brendshëm, ka disa fakte të mbështetura në ligj dhe disa jo, qëndron pretendimi se Lulzim Basha është kryetar i PD, nuk ka qëndruar pretendimi i zotit Berisha, ndaj mbi faktin e pakontestueshëm pala që ka paraqitur kërkesën për regjistrim ka legjitimitetin e plotë”, ka deklaruar ai.