KQZ aprovon mbi 23 mijë kërkesa për votim jashtë Kosovës - NACIONALE

KQZ aprovon mbi 23 mijë kërkesa për votim jashtë Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar mbi 23 mijë kërkesa për votim nga jashtë vendit, për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më nëntë shkurt 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë me dije se po vazhdon edhe më tutje periudha e aplikimit, e cila është e hapur deri më 26 dhjetor 2024.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 3 dhjetor, përmes platformës elektronike (http://diaspora.kqz-ks.org), janë pranuar më shumë se 25,100 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 23,618 ndërsa 1,525 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”.

“Nga 23,618 aplikime të aprovuara, 6,228 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 3,575 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 13,815 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”.

“Është e rëndësishme ta theksojmë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues. Kjo do të thotë se nëse një shtetas i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së.”

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar.” – ka thënë ai për Nacionale.

Lajme të ngjashme