KPK e Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i reagojnë Kurtit: Nuk i di faktet, keqinformon publikun qëllimisht
Këshili Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryprokurorit të Shtetit i kanë reaguar ashpër Kryeministrit Albin Kurti, i cili nga foltorja e Kuvendit këtë të hënë sulmoi organet e drejtësisë, si dhe me emër e mbiemër Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) detyrohen që edhe një herë të reagojnë ndaj deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, konkretisht ndaj deklaratës së Kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili dje nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza të padrejta në drejtim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj.” – thuhet në fillim të reagimit.
Tutje në reagim thuhet se Kurti nuk i di faktet, keqinfomon publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve si dhe ndërhyjnë direkt në punët e sistemit të drejtësisë, i cili kushtetutshmërisht është i pavarur.
“Një qasje e tillë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe në vend që Kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedhë rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit.” – thuhet aty.
KPK i ka bërë thirrje Kurtit si dhe kabinetit të tij që urgjentisht ta ndalin këtë gjuhë ndaj organeve të drejtësisë.
Gjuha e papranueshme e Kurtit
Kryeministri Albin Kurti gjatë seancës së Kuvendit të mbajtur të hënën, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës lidhur me moszbardhjen e rastit të Astrit Deharit,
Kurti sulmoi organin e akuzës, si dhe udhëheqësin e Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë, edhe gjyqësinë. Prokuroria duhet ta zbardhë rastin e shokut tonë të mbytur në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016, Astrit Dehari. Por Prokuroria nuk është reformuar”, tha Kurti.
“Ne vitin e ardhshëm i bëjmë 4 vjet në qeverisje, por KPK-ja është e njëjta. Aty në krye edhe më tutje me ndikim e me funskion është Blerim Isufaj”, tha ai.
Kurti s’e mban e i ndryshon fjalët
Më 29 nëntor Kurti doli në konferencë për media për të folur për sulmin në Ibër-Lepenc. I pari i qeverisë duke arsyetuar se përse terroristët e Banjskës në krye me Radojiçiq duhet të gjykohen në Kosovë, ndër të tjera tha, “gjykatat tona janë shumë më të mira se ato në Serbi, jemi shtet demokratik ku funksionojnë gjykatat…”.
Para disa muajsh Kurti u “detyrua” ta nënshkruaj një letër ku e garantonte raportuesen për Kosovën në Këshill të Europës, Dora Bakoyaniss se nuk do t’i sulmonte më organet e pavaruara të drejtësisë.