Kosovarët e shohin ShBA-në si aleatin kryesor, Serbinë si kërcënim: Çka tregon sondazhi i IRI-së? - NACIONALE

Kosovarët e shohin ShBA-në si aleatin kryesor, Serbinë si kërcënim: Çka tregon sondazhi i IRI-së?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Qytetarët e Kosovës i kanë të qarta mendimet e tyre për aleatët kryesorë dhe për kërcënimet që u vinë nga jashtë. Sipas sondazhit rajonal për Ballkanin Perëndimor, që u realizua gjatë shkurt-marsit të 2024 nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, në shumicë dërrmuese kosovarët e shohin ShBA-në si aleatin më të rëndësishëm të Kosovës.

Më saktë, 80 për qind e qytetarëve i vlerësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin e tyre më të rëndësishëm, ndërsa 6 për qind e shohin Shqipërinë si aleatët e dytë, 5 për qind Gjermaninë dhe 3 për qind Turqinë. 1 për qind e qytetarëve të Kosovës, sipas këtij sondazhit, e shohin Rusinë si aleatin e tyre kryesorë.

Në sondazhin e publikuar nga kjo organizatë joqeveritare amerikane, 83 për qind e kosovarëve e shohin Serbinë si kërcënimin më të rëndësishëm të Kosovës. Në këtë listë, Rusia është kërcënimi i dytë më i rëndësishëm, duke marrë 8 për qind në këtë sondazh.

1 për qind e qytetarëve të Kosovës e shohin ShBA-në si kërcënimin më të madh dhe po ashtu 1 për qind vlerësojnë se Shqipëria është kërcënimi më i madh i Kosovës.

87 për qind e kosovarëve theksojnë se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe Perëndimit.

Nuk ka asgjë befasuese as në lidhje me qëndrimet e kosovarëve për anëtarësimin në NATO. 88 për qind e kosovarëve vlerësojnë se anëtarësimi i plotë i Kosovës në NATO do t’i shërbente më së miri shtetit kosovar.

Në këtë kontekst, përkrahja për anëtarësimin e Kosovës në NATO ka një rritje prej 13 për qind nga viti 2022 në vitin 2024. Përkrahja e rritur për anëtarësimin në NATO mund të ndërlidhet me ngjarjet në veriun e Kosovës në dy vitet e fundit, ku mes të tjerash kishte edhe një sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Qytetarët e Kosovës në shumicë dërrmuese kanë qëndrime pozitive në lidhje me Bashkimin Evropian. 89 për qind e respodentëve kanë vlerësuar se do të votonin për anëtarësimin e Kosovës në BE nëse do të kishte një referendum. Në këtë pyetje, vërehet një rritje prej 4 për qind në krahasim me vitin 2022.

Në këtë anketë, 59 për qind e qytetarëve të Kosovës i kanë vlerësuar si plotësisht të pajustifikuara veprimet e Rusisë në Ukrainë, ndërsa 73 për qind thonë se Rusia është përgjegjëse për konfliktin ushtarak në mes Rusisë dhe Ukrainës.

Lajme të ngjashme