Kosova vetëm do ta dëbojë policin e Serbisë pasi ia hoqi shtetësinë për “rrezikim të sigurisë kombëtare”
Pasi iu hoq shtetësia për “rrezikim të sigurisë kombëtare”, ndaj Nikola Vujoviqit kanë nisur procedurat për “largim me forcë nga territori i Republikës së Kosovës”.
Lajmi për heqjen e shtetësisë u konfirmua sot gjatë ditës nga nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili mban njëkohësisht pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme,Xhelal Sveçla. Ai tha se vendimi për privimin nga shtetësia është marrë për shkak të “rrezikimit të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës”.
Sveçla tha se Serbia ka angazhuar shtetas të Republikës së Kosovës në institucionet e saj të sigurisë dhe inteligjencës, veprim që përbën shkelje të rëndë ligjore dhe cënim të drejtpërdrejtë të sigurisë së shtetit:
“Brenda përpjekjeve sistematike për destabilizimin e brendshëm të Republikës së Kosovës, Serbia ka punësuar shtetas të Republikës sonë në institucionet e saj të sigurisë dhe të inteligjencës – akt ky në kundërshtim flagrant me legjislacionin tonë dhe cenues i drejtpërdrejtë i sigurisë kombëtare.”
Për këtë arsye, ai njoftoi se ka ndërmarrë veprimin ligjor për heqjen e shtetësisë ndaj Vujoviqit për shkak të implikimit të tij në aktivitete që rrezikojnë sigurinë kombëtare:
“Bazuar në legjislacionin përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve kompetente, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujoviqin, për shkak të rrezikimit të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë.”
Pas heqjes së shtetësisë, Policia njoftoi së fundi se ndaj të njëjtit kanë nisur procedurat “për largim me forcë të personit N.V., nga territori i Republikës së Kosovës.”
"Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe i realizimit të vendimeve të nxjerra nga institucionet e Republikës. Bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi humbjen e shtetësisë me privim, ndaj personit N.V., ish-shtetas i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe i Serbisë, si dhe pjesëtar i inteligjencës së policisë në Serbi, Policia e Kosovës – përmes Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj – ka nisur procedurat për largimin e tij të detyrueshëm nga vendi ynë.
Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, në lidhje me këtë rast, është duke zhvilluar procedurat në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon këtë fushë dhe, si rezultat, ka lëshuar vendimin për largimin me forcë të personit N.V. nga territori i Republikës së Kosovës.
Deri në përfundimin e këtyre procedurave, dhe në përmbushje të kushteve për ekzekutimin e vendimit, personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj” – bëhet me dije nga Policia.”
Ndërkohë, Arbnor Spahiu – ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës – vazhdon të mbahet në ndalim në Serbi, ku përballet me akuza për “vrasje të rëndë” gjatë sulmit në Banjskë.
Sipas avokatit të tij, z. Arianit Koci, Spahiu kishte dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës afërsisht një vit përpara ngjarjes.
“Ka dhënë dorëheqje afërsisht një vit më parë – dhe aktualisht jeton në Gjermani. Për këtë kemi dorëzuar prova. Kjo nuk është procedurë penale – është përndjekje politike. Dhe përbën pjesë të qartë të një zinxhiri veprimesh të koordinuara nga Serbia – me synim frikësimin e ish-pjesëtarëve të strukturave të sigurisë së Kosovës.”