"Kosova s'ka çka kërkon në dialog": Qysh po e shohin analistët deklaratën e Konjufcës për Asociacionin?
Asociacioni vazhdon jetë një ndër temat kryesore në vend. Analistët politikë kanë komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit, Galuk Konjufca i cili reagoi ndaj ndërkombëtarëve duke thënë se “pikënisje” për Asociacionin “është Kushtetuta e Kosovës” e jo një draft-Statut i hartuar nga Ekipi Menaxhues.
Këto deklarime kanë nxitur reagimin e analistëve politikë në vend që sipas tyre, deklarata e tij është jo e duhur.
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se nëse Konjufca e di këtë gjë atëherë duhet ta ndërprejnë dialogun, por nësë vazhdojnë duhet t’i marrin përgjegjësitë.
“Pyetja ime për të do të ishte nëse LVV e din apo nuk e din që ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës. Nuk e di se a e din zoti Konjufca ose se a e din Qeveria nese procesi i dialogut që e qon drejt krijimit të asaj që tha zoti Konjufca, e ka këtë çmim? Nëse e din se është kështu, le ta ndërprejnë dialogun, ska nevoj të shkohet në dialog…por nëse po vazhdojnë të jenë pjesë e procesit duhet që ti marrin edhe përgjegjësit e pasojat e një marrëveshje, cilado qoftë ajo, sa i përket çështjes së Asociacionit.” – ka thënë ai në Debat Plus.
Ndërkaq, ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ka thënë se është qasje e gabuar që të shtrohet problemi për Asociacionin vetëm në këtë mënyrë.
“Problemi është ka shtrohet në mënyrë të gabuar sepse mendoj që kjo ngrutësia e vlerësimit të produktit final të dialogut vetëm sipas Kushtetutës ekzistuese është vështirë me u mbajt si qëndrim dhe në anën tjetër nuk do të thotë se është produktiv dhe i dobishëm.” – ka thënë Ymeri.
Ndërkohë, analisti Astrit Gashi, ka thënë se reagimi i Konjufcës është mesazh që po iu dërgohet ndërmjetësve për draft-statutin e Asociacionit.
Ai ka thënë se këtë gjë do të duhej ta bënte kryeministrit, Albin Kurti.
“Ky reagim direkt kundërshtues i Konjufcës është politik dhe përgjigje e Kosovës që në njëfarë forme nuk po bëhet nga kryeministri i Kosovës, por nga personi i dytë në raport me qëndrimet e BE-së që ai draft është legjitim dhe do ta marrim si pikënisje. Këtë e shoh unë.” – ka thënë Gashi.
Çka tha Konjufca?
Deklarata e kryetarit të Kuvendit erdhi pasi emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se pikënisje për Asociacionin duhet të jetë draft-statuti i prezantuar nga Ekipi Menaxhues që në krye kishte deputetin e Aleksandar Vuçiqit.
Konjufca ka thënë se pikënisje e Asociacionit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës.
“Nëse BE-ja nuk mendon se zgjidhja duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj se Kosova nuk ka çfarë kërkon në atë dialog më.” – ka thënë Konjufca të hënën pas konferencës për media me homologun e tij nga Austria.
“Statuti që ata e prezantuan ishte sipas urdhrit të Serbisë dhe presidentit Vuçiq. Ishte statut me një përpjekje për me kriju Republikë Serbe brenda Kosovës, dhe kjo është anti-kushtetuese. Unë mendoj që kurrfarë pozicioni anti-kushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës.” – ka thënë ai.
“Çka kemi ne në interes me shkatërru kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon vetëm në dëm të interesave tona nëse është ashtu. Kosova është në dialog sepse beson në dy principe shumë. Principin e parë që dialogu është për njohje të ndërsjellët dhe tjetra se çfarëdo rregullimi dhe vetëmenaxhimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Pasi nëse është e kundërta, nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimin e shtetit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë me thënë mirupafshim. S’ka interes këtu.” – ka thënë Konjufca.
Për të mos harruar, Kosova ka refuzuar draft-statutin e Asociacionit të përgatitur nga Ekip Menaxhues. Mirëpo sipas ndërkombëtareve, ky draft-statut është një hap para drejt themelimit të Asociacionit.



