“Kosova, shtet i përkohshëm”, Aliu e përdor shprehjen e Rugovës për ta sqaruar deklaratën e tij: S`e heq asnjëherë prej gojës
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk ka hequr dorë nga qëndrimi i tij se Kosova është shtet i përkohshëm.
Ai ka bërë me dije se çdo punë e tij si ministër është në shërbim të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Në emisionin “Debat Plus”, Aliu ka thënë se këtë qëndrim e ka pasur edhe para se të bëhet pjesë e VV-së.
“Kosova shtet i përkohshëm dhe në fazë kalimtare drejt bashkimit me Republikën e Shqipërisë, për mua Shqipëria është përtej Republikës së Shqipërisë, është qëndrim i imi edhe para se me qenë ministër, edhe tu qenë Vetëvendosje, edhe para se me qenë Vetëvendosje. Madje, edhe para se me qenë në LKÇK”, ka thënë ai.
Ai ka bërë se të gjithë përpiqen për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
“Diskursi që Kosova si zgjidhje drejt bashkimi kombëtar është zgjidhje që na përpiqemi, mundohemi me e forcu Kosovën me idenë që një ditë do të bashkohet me Shqipërinë. Pra, kur në mendjen tonë përherë ekziston synimi se Kosova duhet t`i bashkohet Shqipërisë, kjo i bije që Kosova kështu qysh është nuk ka me kanë, por ka me kanë pjesë e një shteti më të madh që ka me qenë Kosova dhe Shqipëria bashkë. Ky është qëndrimi i përhershëm që të unë nuk ka ndryshuar asnjëherë. Është qëndrim që çdo punë e imja nuk guxon me ra në kundërshtim me këtë qëllim. Unë mendoj se edhe Vuçiqi, edhe Serbia do të korrni një fitore të madhe në momentin kur ne do ta bënim një restrikcion vetes qëllimit tonë që do të bashkohemi me Shqipërinë një ditë”, ka thënë Aliu.
Më tej, ai ka thënë se shprehjen në fjalë nuk e heq asnjëherë nga goja.
“Unë nuk du me ia ba qefin as Vuçiqit, atë shprehje nuk e heqin asnjëherë prej gojës time. Çdo punë e jemja, qoftë për hekurudhën, qoftë për rrugën Deçan – Plavë, qoftë për rrugën për Bujanoc, dhe çdo punë që e bëj, ose është në funksion të asaj, ose nuk është në kundërshtim me atë punë”, është shprehur Aliu.
Kur analisti Dardan Gashi ka deklaruar se edhe ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka thënë se “shteti i Kosovës është kompromis”, Aliu ka vlerësuar se kjo shprehje e Rugovës është e qëlluar.
“Kjo deklaratë për mua është sqarues e krejt situatës”, është shprehur Aliu.