Kosova përkulet para kontributit të Madeleine Albright
Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, me dhimbje të madhe kanë pritur lajmin për vdekjen ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Një ditë pas vdekjes, Albright është nderuar nga shteti dhe mbarë shoqëria kosovare.
Në shenjë respekti ndaj ish-zyrtares së lartë amerikane, institucionet qendrore kanë ndryshuar agjendat, ndërsa liderët institucionalë dhe politikë kanë përkujtuar kontributin e mikes së madhe të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës, seancën për 24 marsin e ka filluar me një minutë heshtje, duke shprehur mirënjohje për kontributin që Albright kishte dhënë në fillimin e fushatës ajrore të NATO-s ndaj forcave të ish-Jugosllavisë.
Më pas, organi më i lartë legjislativ në vend ka shtyrë për të hënën seancën e rregullt që ishte paraparë të mbahet sot prej orës 13:00.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur ditën e premte ditë zie në Kosovë.
Me vendim të shefes se shtetit, flamujt shtetëror këtë ditë do të ulen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vetë e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Osmani.
Ky nderim për ish-sekreten amerikane është bërë për shkak të kontributit të madh që ajo kishte dhënë në ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, me bombardimet kundër ish-Jugosllavisë. Ajo llogaritet se ishte arkitekte kryesore e kësaj ndërhyrjeje.
Madeleine Albright kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në Konferencen e Rambujesë në vitit 1999, duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të arrinin një marrëveshje të paqes.
Si pasojë e mosnënshkrimit të një marrëveshje në këtë konferencë, ndodhi intervenimi humanitar i NATO-s.
Për këtë kontribut të saj, Kosova dhe populli i saj do të jetë përjetë falënderues dhe mirënjohës.
Liderët bëjnë homazhe te busti i ish-sekretares
Ditën e enjte, liderët institucionalë kanë bërë homazhe te busti i ish-sekretares amerikane Medeleine Albright.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca, ka thënë se populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës ndaj asaj.
“Ajo së bashku me Presidentin Clinton ishin forca kryesore shtytëse në planin ndërkombëtar për të ndalë gjenocidin e shtetit të Serbisë mbi popullin e Kosovës. Në një adresim që ia bëri dje popullit amerikan, Presidenti Clinton e përshkroi më së miri zonjën Albright, duke e cilësuar atë një thesar kombëtar”, ka thënë Konjufca, pas homazheve.
Bashkë me kryeparlamentarin, kurora lulesh ka vendosur edhe kryeministri Albin Kurti.
“Politika, diplomacia dhe historia, vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur se sa te personaliteti i jashtëzakonshëm i zonjës Sekretare, Madeleine Albright. Ajo në politikë ishte historiane, në histori ishte diplomate, ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh edhe përvojën e saj jetësore si emigrante hebreje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila fëmijërinë e ka kaluar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas është shkolluar në vendin tempull të demokracisë e është bërë Sekretarja e parë e Shtetit amerikan grua, natyrisht që kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullit 20, por edhe atij 21”, ka thënë Kurti për medie.
Sipas Kurtit, ndërhyrja NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë me bombardimet kundër Jugosllavisë, mban vulën e zonjës Albright.
Edhe liderët e partive opozitare kanë shprehur keqardhje për vdekjen e ish-sekretares.
“Zonja Albright ishte një personalitet i papërsëritshëm, simbol i diplomacisë amerikane në botë dhe i humanitetit e i lirisë për shqiptarët. Ajo do të mbetet përherë e dashur në zemrën e secilit qytetar të Kosovës, për rolin e saj vendimtar në ndalimin e gjenocidit serb në vendin tonë. Ajo ishte e lidhur fort nga dashuria për Kosovën dhe këtë më së miri e tregon thënia e saj: ‘Kosova më bën krenare më së shumti në gjithë karrierën time’”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Kurse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se Albright do të mbetet emër i gravuar në historinë e Kosovës.
“Madeleine Albright ka vënë një standard të papërsëritshëm të mbështetjes këmbëngulëse për vendin tonë. Kosova, populli jonë, gjenerata e tashme e shumë të tjera që do të vijnë pas, do të kujtojnë e nderojnë Sekretaren Albright për rolin e saj fundamental, në përpjekjen dhe përmbushjen tonë nacionale drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë”, ka shkruar në Facebook.
I pikëlluar për humbjen e mikes së madhe të Kosovës, është shprehur edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Kosova e populli i saj do të kujtojnë gjithmonë, angazhimin e saj për t’i dhënë zë dhe rrugë, përpjekjeve tona për liri e konsolidim të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Lule te busti i ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madaleine Albright, të mërkurën ka bërë edhe Grupi i Grave Deputete, i shoqëruar edhe nga drejtoresha e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Nancy Soderberg.
“Bashkë me Grupin e Grave Deputete, që është një grupim i të gjitha subjekteve politike, po ashtu bashkë me drejtoreshën e NDI-së, Nancy Soderberg, e cila e kishte mentore direkte të punës së saj zonjën Madeleine Albright, miken e madhe të Kosovës që e ndihmoi në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shprehëm sot trishtimin për humbjen e jetës së saj dhe po ashtu të tregojmë se ajo do të jetë në mendjet dhe zemrat e popullit tonë përjetësisht”, ka thënë kryetarja e këtij grupi Tinka Kurti.
Madeleine Albright, ishte sekretarja e parë grua në SHBA.
Ajo lindi më 15 maj 1937, ndërsa përgjatë viteve 1997 - 2001 ka ushtruar detyrën e sekretares, kur president i SHBA-ve ishte Bill Clinton.
Albright e kishte vizituar dy herë Kosovën. Herën e parë më 2005, kur ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për herë të dytë në vitin 2019, në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Me rastin e 20 vjetorit të çlirimit, në shenjë falënderimi i ishte ngritur edhe busti në Prishtinë.