“Kosova nuk ka opozitë”: Kërkohet formimi i frontit të përbashkët opozitar
Opozitarizimi i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk po pëlqehet shumë. Qasja e deritashme e këtyre partive parlamentare ndaj Qeverisë është kritikuar nga njohës të rrethanave politike dhe nga vet zyrtarët e këtyre subjekteve politike.
Sipas tyre, me qasjen aktuale, opozita nuk po mund të ndikojë në ndryshimin e agjendës se Qeverisë.
Ata kanë thënë se unifikimi i qëndrimeve përballë qeverisë do ta fuqizonte opozitën brenda Kuvendit të Kosovës.
Më e ashpër ndaj partive të opozitës ka qenë ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli. Në një intervistë për gazën Nacionale, ajo ka thënë se Kosova nuk ka fare opozitë.
Sipas saj, partitë opozitare janë variante të frymës së Albin Kurtit.
“Pyetja duhet të shtrohet: a ka opozitë Kosova? Kosova nuk ka opozitë. Parti ka, por opozitë nuk ka. Ato janë variante të frymës së Albin Kurtit. Sidomos LDK-ja, është tërësisht një variant i frymës së Albin Kurtit”- ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Adbixhiku, nuk janë liderë.
“Opozita nuk është në nivelin e përgjegjësive që i ka dhe përgjegjësive që janë parashtruar para neve. Sepse ne duhet te merren me do vendime pak më të mëdha se zakonisht. Nuk është çështje e vogël një marrëveshje finale me Serbinë dhe sjellja jonë krejt fodullëk karshi kësaj çështjeje, edhe e Qeverisë dhe e partive të tjera, që quhen opozitare”- ka thënë ajo.
I pakënaqur me rolin e opozitës është shprehur edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.
Ai ka thënë për gazetën Nacionale asnjëra prej tri partive opozitare nuk është në nivelin e duhur.
"Ligjërisht dhe kushtetutshmërish, fuqia e kontrollit e opozitës ndaj Qeverisë është e kufizuar, sepse nuk kemi vendosur rregulla të caktuara që ia mundësojmë opozitës me qenë në krye te kontrollit të shtetit. Kemi probleme të mëdha, të cilat po ndodhin e me të cilat do të duhej me u ballafaqu, megjithatë më krijohet përshtypja që në këtë betejë politike, nuk jemi në nivel të detyrës"- ka thënë Haliti.
Kritik me partin e tij është shprehur edhe ish-nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja.
Sipas tij, PDK-ja po i imiton partitë e tjera politike. "PDK-ja ka pasur një dinamizëm tjetër veprues, në një kohë tjetër. Tash po duket sikur është imituese e ndonjë partie dhe kjo nuk i shërben dhe nuk duket hiç logjike për PDK-në, me emrin që e ka, me historikun që e ka dhe me realizimet që i ka bërë"- është shprehur ai.
Fronti opozitar fuqizon opozitën
Për të unifikuar qëndrimet e tyre ndaj qeverisë, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së po i kërkohet formimi e një fronti opozitar.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se vetëm më bashkimin e opozitës do të ndalet kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
“Krijimi i një fronti të përbashkët opozitar për të kundërshtuar politikat rrënuese të Albin Kurtit dhe noterës së tij Vjosa Osmani është misioni më i rëndësishëm politik e nacional sot. Është thirrje dhe alarm për të parandaluar rrëshqitjen e Kosovës në izolim të plotë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste po shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund është ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë”, ka shkruar ai.
Ndonëse ka bërë thirrje për bashkim të opozitës, ai ka kritikuar kryetarin e PDK-së dhe atë të LDK-së.
“Është koha e fundit që opozita parlamentare, PDK, LDK dhe AAK, në rend të parë por edhe ajo jashtparamentare e sociale të rreshtohen qartë dhe pa kalkulime kundër popullizmit neokomunist të Kurtit dhe Osmanit. Pozicionimi konformist i Krasniqit dhe Abdixhikut, në pritje të gabimeve rrënuese të Kurtit është i papranueshëm. Ato gabime mund të jenë të pareparueshme! Kosova është shtet, mbi të gjitha falë përkrahjes së pakursyer e vendimtare të botës dhe demokracive perëndimore me në krye SHBA-të! Qeveria e Kosovës duhet patjetër të pranojë rekomandimet e partnerëve të vendit tonë që të mos mbetet peng i lojërave me targa”, ka vlerësuar Hyseni.
Edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, mendoni se krijimi i një fronti të tillë do ta fuqizonte opozitën.
"Do të ishte e mirë, sikur të ishte mundësia që të kemi një front të përbashkët, por në këtë front të përbashkët, tri partitë parlamente do të duhej që të uleshin dhe të diskutonin. Jo të ulen herë njëri e herë tjetri nëpër qoshe, por të krijohen grupet që hyjnë në bisedime për këtë çështje. Nëse hyjnë në bisedime për këtë çështje, ne duhet që në fillim të dimë se cilës parti çfarë i takon pas zgjedhjeve"- ka thënë Haliti.
Pavarësisht këtyre kërkesave, udhëheqësit e tri partive opozitare kanë injoruar këtë kërkesë. Ata e kanë vlerësuar si të panevojshëm krijimin e një fronti të tillë.
Deri me tani, PDK, LDK dhe AAK kanë bashkëpunuar për disa çështje në Kuvendin e Kosovës për të kundërshtuar Qeverinë e Kosovës. Bashkëpunimi i tyre në disa fusha ka qenë i suksesshëm, kurse në disa nuk ka treguar ndonjë rezultat.

