“Kosova mund të largohet nga partnerët ndërkombëtarë”: Escobar thotë se Kurtit duhet “t’i mbushet mendja edhe pak” - NACIONALE

“Kosova mund të largohet nga partnerët ndërkombëtarë”: Escobar thotë se Kurtit duhet “t’i mbushet mendja edhe pak”

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Para mëse një jave ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, njoftoi se bashkësia ndërkombëtare “nuk ka marrë përgjigje nga Kryeministri (i Kosovës, Albin Kurti) dhe se as që duket që do të marrë”, duke folur për pritshmëritë e zbatimit të planit tre-pikësh për shtensionimin e situatës në veri, moszbatim ky që Kosovës i kushtoi edhe masa ndëshkuese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe së fundi edhe nga Gjermania.

Se nuk ka ende përgjigje, la të kuptojë edhe të Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, duke folur nga Dubrovniku, i cili tha se Kurtit ka nevojë “t’i mbushet edhe pak mendja” (persuaded). Ndryshe nga Kurti, Escobar shprehet se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “ka dhënë indikacione pozitive” se do ta pranojë planin tre-pikësh për shtensionim. Ky plan “është zgjidhja më e mirë” për të ecur para, sipas tij.

Diplomati amerikan u pyet rreth pasoja që mund të rëndojnë mbi Prishtinën në rast të vazhdimit të shpërfilljes së kërkesave të komunitetit Trans-Atlantik, por ai, këtu nuk u lëshua në hollësira. “Të dy vendet (Kosova dhe Serbia) do të humbasin mundësi të shumta”, tha ai.

Kjo ngase për pasojat s’kanë nevoja të jenë me doemos “masa ndëshkuese”, tha emisari amerikan, por “mundësitë e humbura”.

Pasojat s’janë te masat ndëshkuesea, por janë mundësitë e humbura, që të dy vendet do të humbasin, nëse refuzojnë propozimin për ikje nga kriza”, ka thënë Gabriel Escobar. Se në çka përkthehet kjo për Kosovën, Escobar u shpreh mëse i qartë; “largim nga partnerët e afërt ndërkombëtarë dhe rajonalë”; ndërsa për Serbinë “largimi i saj nga anëtarësimi në BE”.

Por, ndonëse prospekt ky i errët dhe i rreptë, emisari amerikan kujdeset të bëjë diferencimin mes qeverisë kosovare për kursin e veprimit të saj, dhe partneritetin amerikan me popullin kosovar.

Partneriteti ynë është me partneritet me popullin e Kosovës, e jo më një parti ose figurë politike. Përkushtimi ynë ndaj KFOR-it dhe investimi ynë në të ardhmen e Kosovës mbetet i fuqishëm”, ka thënë Gabriel Escobar, siç e citoi gazeta kroate “Jutarnji List”.

Hovenier tregoi për ‘çarjen e madhe’ me Kurtin

Diplomati amerikan, Jeffrey Hovenier, para mëse një jave në një intervistë në Klan Kosova tha se “nuk po kam se si ta kuptoj” këtë flakje tutje të kërkesave amerikane – por edhe mbarë trans-atlantike – nga qeveria kosovare.

Jam i shqetësuar dhe i merakosur”.

Do të ketë disa pasoja tjera specifike nëse vazhdohet kështu në këtë rrugën që Qeveria e Kosovës e ka marrë, që të mos jetë përgjegjëse ndaj kërkesave të të gjithë miqve të saj, që për më shumë se dy dekada kanë dëshmuar përkushtimin ndaj Kosovës, që Kosova të merr vendim e merituar të saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike”.

Ambasadori amerikan aty dha një rilexim të fundit të komunikimeve ndërkombëtare me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të shpaluar “habinë” e tij me refuzimet e këtij të fundit. Brenda një jave, tha ai, Kurti u takua e bisedoi me figura të larta të politikës perëndimore si Sekretari britanik i Shtetit, Sekretari amerikan i Shtetit, Presidentja e Komisionit Evropian dhe Sekretari Gjeneral i NATO-s – të gjithë këta aktorë të strukturave euro-atlantike që Kosova i synon, ndërsa të njëjtën kohë ua refuzon kërkesat. “E kam të vështirë ta kuptoj pse...”, tha ambasadori.

Pra, në thelb, konfigurimi i krejt institucioneve që i synon Kosova të anëtarësohet një ditë e që ne përzemërsisht duam t’i ndihmojmë, dhe miqtë e Kosovës që e mbështesin në këtë trajektore, krejt po i kërkojnë Kosovës këtë”, tha ai duke pasur ndërmend planin tre-pikësh të BE-së e ShBA-së për shtensionim.

Por, jo që s’ka përgjigje pozitive nga Kurti, tha ambasadori – “por as që duket që do të ketë”.

Këtu ai vazhdoi me shtruarjen e pyetjeve si shtrim i habisë së tij me Kurtin. “Është rast mjaft i veçantë që një Qeveri nuk i përgjigjet pozitivisht këtij konstelacioni aktorësh, të gjithë prejt të cilëve e kanë interesin më të mirë të Kosovës ndërmend”.

Lajme të ngjashme