Kosova mbeti sot jashtë agjendës për votim në Këshillin e Ministrave për KiE - kritikohet Qeveria
Çështja e votimit në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës as sot nuk është futur në agjendën e mbledhjes vjetore të Komitetit të Ministrave, përkatësisht të ministrave të jashtëm të 46 shteteve anëtare të KiE-së. Komentimet dhe kritikat ndaj qeverisë për këtë çështje kanë filluar tashmë. Kosova ka edhe një mundësi që të futet në agjendë.
Për këtë temë, Deputetja e PDK-së, Arian Musliu-Shoshi, ka reaguar pasi Kosova nuk ka qenë temë e diskutimit në takimin e zëvendësministrave që po punojnë në përcaktimin e agjendës për Komitetit të Ministrave për Këshillin e Evropës.
Ajo ka thënë se kjo mbledhje do të mbahet edhe më 14 maj, teksa ka thënë se procesi do të vështirësohet.
“Kosova, sot NUK arriti që të jetë temë në takimin e zëvendësministrave që po përgatisin agjendën për takimin e Komitetit të Ministrave që mbahet më 16-17 maj! Kjo mbledhje do të vazhdoj edhe ditën e martë (14 maj), e në ditët në vijim procesi vështirësohet dhe mundësitë shterojnë. Sidoqoftë, EDHE NJË SHANCË për” – ka shkruar ajo.
Tutje, ajo ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, për veprim elektroale.
“Për Albinin me rendësi është propaganda, vota dhe pushteti!” – ka thënë ndër të tjera ajo.
Në anë tjetër, analisti Valon Syla ka reaguar duke thënë se vendi do të shkojë në zgjedhje si shkak i dështimit të politikës së kryeministrit, Albin Kurti.
“Kosova nuk është në agjendë për antarësim në Këshill të Evropës... do të thotë, se vazhdojmë me izolim, sankcione nga Amerika dhe BE pa fituar asnjë njohje... e as nga Këshilli i Evropës, një dështim i politikës dhe negociatave që po i udhëheq Albin Kurti. Në gjuhën real politike kjo do të thotë edhe zgjedhje të brendshme nacionale qoftë në qershor, apo në tetor.”
“Shuplakat diplomatike i morëm sot nga Franca dhe Gjermania... por ma të rëndat do të vinë nga Amerika e sidomos nëse Republikanët fitojnë atje.” – ka shkruar ai.
Ndërkohë, për anëtarësimin e Kosovës në KiE po kërkohet që Qeveria ta dërgojë Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.
Mirëpo, këtë gjë e ka kundërshtuar kryeministri Kurti, duke thënë se “normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg”.
“Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatë.
"Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon", bëhet e ditur në komunikatë.
Kujtojmë se më 16 dhe 17 maj do të kuptohet nëse Kosovë do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave për votë finale për-ose-jo anëtarësimit në Këshillin e Evropës.