Kosova kërkon pa sukses sanksione ndaj Serbisë, BE-ja ia përmend themelimin e Asociacionit
Dje në Bruksel u mbajtën dy takime të rëndësishme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i takuan ndaras liderët evropianë. Sigurisht, në takim u bisedua për shtensionimin e situatës dhe dialogun mes dy vendeve. E pas takimit, Kurti dhe zyrtatë të tjerë të Qeverisë së Kosovës, kërkuan sanksione ndaj Serbisë. Çka shkruan liderët e Kosovës?
Në komunikatën e Qeverisë së Kosovës u ritheksua se Kosova e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin zbatues të Ohrit.
“Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023. Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa.” – shkroi mbrëmë Qeveria e Kosovës.
Por theksi duket se u vendos, përveç te nevoja e nënshkrimit të marrëveshjeve, edhe te domosdoshmëria për ta sanksionuar Serbinë për shkak të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Kryeministri Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë.” – shkruhej në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Nevojën që Serbia të mbahet përgjegjëse për ngjarjen në Banjskë, e theksoi edhe vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Madje, sipas Kurtit, mbajtja përgjegjëse e Serbisë është parësore.
“Theksova se pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, rëndësia e sigurisë së Kosovës është parësore, si dhe mbajtja e Serbisë përgjegjëse. Kosova ka pranuar/miratuar Marrëveshjen Themelore dhe unë ofrova ta nënshkruaj sot këtë herë së bashku me propozimin BE-së të 21 tetorit.” – shkroi Kurti në X.
Në linjë të njëjtë ishte edhe një vartëse e Kurtit. Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme, i bëri thirrje BE-së që të sanksionojë Serbinë për ngjarjen e 24 shtatorit. Madje, ajo paralajmëroi se çdo vonesë në këtë drejtim, do të shërbejë për të nxitur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Serbia ka refuzuar edhe një herë përpjekjen për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës. I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të sanksionojë Serbinë për aktin e agresionit kundër Kosovës më 24 shtator 2023.Çdo vonesë do të shërbejë vetëm për të nxitur përshkallëzimin e mëtejshëm.” – shkroi Gërvalla në X.
Ndryshe, Këshilli Evropian ka lëshuar sot konkluzionet pas dy ditë takimesh në Bruksel, ku flitet edhe për Kosovën, Serbinë dhe situatën e sigurisë në veri.
Në konkluzionet e KE-së dënohet ashpër sulmi i dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator, duke theksuar se pret që autorët të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Në këtë kontekst, KE-ja i kërkon Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht.
“Këshilli Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. KE-ja dënon ashpër sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023. Bashkimi Evropian pret që autorët të kapen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim.” – shkruhet aty.
Tutje, KE-ja fton Kosovën dhe Serbinë që të shtensionojnë situatën, duke paralajmëruar se nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, atëherë do të ketë pasoja.
“Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin përpjekje të qëndrueshme de-përshkallëzimi, si dhe të sigurojnë mbajtjen e të rejave zgjedhjet në veri të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës. Dështimi për të ulur tensionet do të ketë pasoja.” – shkruhet në konkluzionet e KE-së.
Ndërsa, presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen në një konferencë për media pas takimit dy ditor Kosovw-Serbi, deklaroi se janë duke u zhvilluar hetimet, dhe pas kësaj, do të vendoset në lidhje me këtë çështje.
“Ka një hetim që po zhvillohet. Kemi thënë disa herë që kur të përfundojë hetimi, do të vendosim për masat, dhe çfarë janë ato.” – u shpreh ajo.

