"Kosova ka ngecur me Kurtin": Abdixhiku thotë se deficiti tregtar do ta kalojë vlerën e 5 miliardë eurove në vit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin, Albin Kurti, për rritjen e deficiti tregtar. Ai ka thënë se vlera e deficitit tregtar është 5 miliardë euro. Ndërkohë, të dhënat e Bankës Qendrore e Kosovës, tregojnë se deri në fund të muajit maj, deficiti tregtar kap vlerën e 1 miliardë e 833 milionë eurove.
I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për deficitin tregtar, duke thënë se Kosova ka ngecur me Kurti dhe se ekonomia vendet gjatë qeverisjes së tij po shkon me hapa të mëdhenj prapa.
“Kosova ka ngecur me Kurtin! Kur nuk ke ide se nga shkon, kur nuk ke vizion të qartë mbi rrugën përpara, kur vepron në mjegull ekonomike, secili hap të duket një ecje përpara. Fatkeqësisht, për vendin tonë, hapat ekonomik të katër viteve të fundit janë hapa të mëdhenj prapa!” – ka shkruar fillimisht ai.
Ai ka thënë se deficiti tregtar është 5 miliardë euro në vit.
“Jemi pak muaj larg para se Kosova, për herë të parë në gjithë historinë e saj, të kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit. Kaq është diferenca mes mallrave që i blejmë dhe atyre që i shesim. 5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim - në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend.”
“Kosova nuk po prodhon. Kosova nuk po krijon! Ky është rezultati i ekonomisë së Kurtit!” – ka shkruari ai.
Më tej, ai ka thënë se Qeveria Kurti është populiste dhe nuk e kuptojnë ekonominë teksa ka thënë se Kosovës do t’i duhen vite për të marrë vetën.
“Paaftësia kushton. Investime nuk ka. Projekte të mëdha nuk ka. Bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj. Qeveria populliste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dijnë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë. Ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varur në importe në Evropë. Me kaq hendek, me kaq dallim, do të na duhen vite për të marrë veten.” – ka thënë ai, duke shtuar se më 9 shkurt (data e zgjedhjeve parlamentare) do të bëhet ndryshimi i madh
Ndërkohë, Banka Qendrore e Kosovës ka raportuar rritje të ndjeshme të deficitit tregtar në mallra deri në fund të majit 2024, duke arritur në 1 miliardë 833 milionë euro, me një rritje prej 8.04 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
"Bilanci tregtar në mallra deri në fund majit 2024 shënoi deficit në vlerë 1,833.93 milion euro, i cili është për 8.04% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 373.86 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 4.14%, ndërsa importi i mallrave shënoi rritje prej 7.36% duke arritur vlerën 2,207.79 milionë euro", ka njoftuar BQK-ja.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosoëvs ishte mburrur me rritjen e eksporteve që kur i krahason me importet janë me shifra gati të papërfillshme.