Kosova humbi rastin historik për t`u anëtarësuar në KiE, por kur mund ketë një mundësi tjetër? - NACIONALE

Kosova humbi rastin historik për t`u anëtarësuar në KiE, por kur mund ketë një mundësi tjetër?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Republika e Kosova ka humbur rastin historik për t`u anëtarësuar në Këshill të Evropës. Ndonëse ishte një hap larg anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme, Qeveria e Kosovës ka refuzuar të përmbush kushtin e ri që iu kërkua nga disa vende anëtare. Për këtë arsye sot në Komitetin e Ministrave nuk ishte fare në agjendë opinioni i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Megjithatë, vendet anëtare kanë shprehur gatishmëri që Kosova të mund të bëhet anëtare në një fazë të mëvonshme, nëse e plotëson kushtin e kërkuar nga Franca, Gjermania dhe Italia, që është dërgimi i drafti të Asociacionit për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.

Ministrja e Jashtme e Lihtenshtajnit, Dominique Hasler, e cila është kryesuese e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ka dhënë shpresa për Kosovën.

Ajo ka bërë me dije se komiteti është duke e shqyrtuar mundësinë e procedimit të një takimit tjetër ku do të ishte temë anëtarësimi i Kosovës.

Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja e Lihtenshtajnit nuk ka treguar kohen se kur mund t`i jepet Kosovës një mundësi e dytë.

As kryediplomati shqiptar Igli Hasani nuk ka treguar se kur pritet ta ketë Kosova rastin e dytë.

Ai vetëm ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që duhet të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që kanë të bëjnë me këtë anëtarësim.

Dështimi për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, është një mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë një vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike. Është e nevojshme që qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, duhet Kosova duhet të veprojë me shpejtësi.

Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet i Ministrave të KiE. Të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur ç’ka i kemi borxh popullit të Kosovës”, ka shkruar ai.

Kosova optimiste

Pas dështimit në KiE, ka reaguar presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Pavarësisht dështimit, Presidentja Osmani është shprehur optimiste, duke thënë se anëtarësimi është vetëm çështje kohe.

“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë”, ka shkruar Osmani.

Ajo është zotuar se do të vazhdohet të punohet për këtë qëllim.

Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcaktojnë Këshillin e Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka shkruar presidentja.

Kurse, kryediplomatja Donika Gërvalla në reagimin e saj ka fajësuar disa shtete aleate për këtë dështim.

Megjithëse sot ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Ndër të tjera, ajo ka bërë me dije se më nuk vlen as oferta e Kosovës për hartimin e një drafti të ri për Asociacionin, të cilin dje ia ka nisur kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka thënë se ajo letër e ka humbur relevancen pasi Komiteti i Ministrave nuk mori parasysh kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka shkruar Gërvalla.

Lajme të ngjashme