"Kosova flet çdo ditë për luftë", Rukiqi tregon shqetësimin e investitorëve për deklaratat e pushtetarëve - NACIONALE

"Kosova flet çdo ditë për luftë", Rukiqi tregon shqetësimin e investitorëve për deklaratat e pushtetarëve

2 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Deklaratat alarmante të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës për mundësinë e një sulmi nga Serbia kanë dominuar opinionin publik javët e fundit. Jehonën më të madhe në arenën ndërkombëtare e bëri kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili foli gjerësisht për 'veprimet agresive të Serbisë', gjatë një intervistë të fundit për CNN. Mes këtyre paralajmërimeve, Berat Rukiqi, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e tij për ndikimin negativ që këto deklarata kanë në tërheqjen investimet e huaja direkte në Kosovë.

Ai tërhoqi vërejtjen për efektin negativ të retorikës së qeverisë në kontekst të tërheqjes së investitorëve të huaj.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, duke folur për Nacionalen, ka kritikuar qasjen e qeverisë, duke thënë se Kurti dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë nuk po i shfrytëzojnë intervistat e dhëna për mediat ndërkombëtare për të promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Para dy viteve, edhe kur kam qenë në Odën Ekonomikë të Kosovës, e kam theksuar qartë që kjo qeveri ka probleme serioze me qasjen në promovimin e interesave të vendit. Tjetra, intervista e kryeministrit dhe të zyrtarëve qeveritarë te mediat ndërkombëtare nuk janë shfrytëzuar për të promovuar atë çka e ofron Kosova por janë shfrytëzuar për me shpërnda frikë”, tha ai për Nacionalen.

Javët e fundit, Kurti dhe zyrtarë të tjerë të pushtet shprehën publikisht shqetësime për praninë ushtarake të Serbisë pranë kufijve të Kosovës, duke përmendur vendosjen e pajisjeve të avancuara ushtarake.

Në këtë kontekst, në këndvështrimin e Rukiqit, ndonëse tensionet ekzistojnë, përdorimi i fjalës “luftë” përkthehet në një “jo të madhe për çdo investitorë”.

“Frikë e cila ka qenë jo e bazuar pasi që normalisht gjithmonë ka tensione. Ka edhe veprime të cilat janë të papranueshme si akti terrorist në Banjskë. Por fjala luftë, ose leximi i kësaj fjale dhe asaj se çka thotë kryeministri në mediat ndërkombëtare, është një jo e madhe për çdo investitorë. Jo vetëm për investitorët e huaj por edhe për investitorët tonë”, tha ai më tej.

Eksperti i ekonomisë kritikoi edhe ‘mungesën e mbështetjes së investitorëve vendas nga qeveria’, pasi mori shembullin e një kompanie nga Kosova që ka investuar në Shqipëri.

“Shoh çdo ditë kompani të Kosovës, dje ishte rasti i një kompanie tonë që investoi në Shqipëri ose planifikon të investojë në Shqipëri nga pamundësia, rreziku dhe mospërkrahja për të investuar në Kosovë”, tha Rukiqi.

Ai pohoi se ndërsa Kosova “ka ngecur në propagandën komuniste për rendimete të grurit”, vendet e rajonit po shënojnë çdo ditë progres në tërheqjen e investimeve.

“Vendet e rajonit kanë progres, pavarësisht tensioneve që janë në rajon. Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, çdo ditë flasin për investime të rëndësishme. Ndërsa ne jemi të ngecur në propagandën komuniste për rendimete të grurit”, deklaroi Rukiqi për Nacionalen.

Madje, Rukiqi tregoi se si gjatë një kompani ndërkombëtare i ka shprehur shqetësimin për retorikën e qeverisë dhe se kjo “po krijon shqetësim” për ta.

“Hiq më larg se sot (11.07.2024, e mërkurë) pata një bisedë me një kompani të rëndësishme ndërkombëtare e cila kishte interes për disa projekte në Kosovë por shqetësimin e kishte të ajo që Kosova flet çdo ditë për luftë dhe normalisht që kjo krijon shqetësim.” – ka thënë Rukiqi për Nacionalen.

Lajme të ngjashme