Kosova e ndarë rreth draft-statutit për Asociacionin të propozuar nga Rama - NACIONALE

Kosova e ndarë rreth draft-statutit për Asociacionin të propozuar nga Rama

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nisma e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të dërguar një draft-statut për Asociacionin në vendet më të fuqishme të Evropës ka nxitur reagime të ndryshme në Kosovë. Disa nga partitë politike e kanë kundërshtuar e disa e kanë përkrahur veprimin e kryeministrit shqiptar. Kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk është deklaruar për këtë çështje.

Derisa qeveria ka heshtur për këtë temë, deputetët e partisë në pushtet e kanë kundërshtuar një gjë të tillë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se ky draft-statutit është dashur që se pari të vije në Kosovës.

Ne nuk kemi si ta shohim, për arsye se nuk e kemi parë atë draftstatut. Siç ka thënë vet kryeministri Rama, nuk është konsultuar. Unë mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë, krejt historinë e këtij procesi dhe natyrisht rëndësinë e kuptimit të rrjedhës përpara bazuar në parime”, ka thënë Kusari-Lila për medie.

Shumë më të ashpër ndaj Ramës kanë qenë disa deputetë tjerë të VV-së.

Nismën e Ramës e ka kundërshtuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka thënë se asnjë propozim për Asociacion i cili nuk e ka vulën e institucioneve të Kosovës nuk duhet të vlej.

Atë që duhet ta them është që as një propozim që nuk ka autorësi të institucioneve të Kosovës nuk ka vlerë për Kosovën”, ka thënë Abdixhiku në emisionin “Pressing” të T7.

Sipas tij, ende nuk duhet motivet e propozimit të Ramës.

Ne nuk e dim motivin e Shqipërisë zyrtare pse ka dalë me një qëndrim të tillë”, tha fillimisht Abdixhiku në Pressing të T7.

Krejt tjetër mendimin për veprimin e Ramës ka shprehur partia më e madhe opozitare.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, nuk e ka kundërshtuar një gjë të tillë.

Ai ka thënë se përpjekja e kryeministrit shqiptar ka për qëllim të ndihmojë Kosovën.

Unë mendoj që Rama me propozimin e tij po bënë përpjeke që t’i mbush interesat e shteti të Kosovës në një kohë që është kritike dhe assesi që t’i dëmtoj këto interesa. Frika ime është që mënyra se si Kurti është duke menaxhuar situatën në veri të vendit ne mund të lëvizim drejtë një protektorati të plotë i cili si produkt mund të ketë një autonomi territoriale”, ka thënë Hoxhaj.

As shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, nuk e ka kundështuar nismën e Ramës.

Qëndrimi ynë është shumë i thjesht. E para, në parim diçka që vjen prej presidentit shqiptar – ai ka pasur një deklarim për gjendjen në veri – diçka që vjen prej shtetit amë jodomosdo duhet të gjykohet keq. Në anën tjetër, detyrat e Qeverisë janë detyra të vendit të cilat pa asnjë dyshim duhet t’i ushtrojë Qeveria, e Qeveria jonë nuk po i ushtron. Ajo që del në pah prej kësaj situate është se ekziston një moskomunikim dhe raportet e komunikimit mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në pikën e fundit”, ka deklaruar Tahiti.

Reagime ka pasur edhe nga shoqëria civile dhe analistë politik. Disa nga ta e kanë përkrahur iniciativën e Ramës e disa e kanë kundërshtuar.

Propozimi i Ramës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dje në një konferencë për medie ka treguar se Gjermanisë dhe Francës ua ka dërguar një draft-statut për Asociacionin.

Ai ka thënë se drafti është hartuar nga ekspertë të huaj.

Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociaoinit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charls Michel dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspert të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”, është shprehur Rama.

Rama ka deklaruar se është dokument konfidencial, dhe sipas tij Asociacioni do të ishte pjesë e organizitmit të jetës së Kosovës dhe bazuar në Kushtetutë.

Bindja ime është se asnjë nga palët nuk e do Asociacionin dhe do të bëjnë çmos ta shtyjnë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me artifica politike dhe teknike. Nga ana tjetër besoj se çdo ditë e më shumë, krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur derën e afirmimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, njohjes nga të gjithë, uljes në Kombet e Bashkuara dhe gjithë forumeve ndërkombëtare dhe njohjes së ndërsjellë me Serbinë”, ka theksuar Rama.

Iniciativa e Ramës ka nxitur reagime edhe në Shqipëri.

Liderët opozitarë atje kanë kritikuar Ramën për përzierje në punët e brendshme të Kosovës.

Lajme të ngjashme