“Lamtumirë shqiptar i mirë”: Kosova dhe Shqipëria nderojnë figurën e Rexhep Qosjes - NACIONALE

“Lamtumirë shqiptar i mirë”: Kosova dhe Shqipëria nderojnë figurën e Rexhep Qosjes

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Vdekja e akademik Rexhep Qosjes ka nxitur reagime të mëdha në Kosovë dhe Shqipëri. Liderët politikë e institucionalë të shqiptarëve, njerëz të kulturës, letërsisë dhe artit kanë nderuar figurën e shkrimtarit, akademikut, profesorit, kritikut dhe veprimtarit të shquar shqiptar.

Njoftimi për vdekjen e tij u bë vetëm pasi përfundimit të ceremonisë së varrimit.

Nipi i tij, Valjet Rexhepi, njoftoi se varrimi i tij u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

Sipas tij, kjo ishte amanet i të ndjerit.

“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!”, u tha në njoftim.

Me të marrë lajmin për vdekjen e akademikut, Kuvendi i Kosovë, i cili mbante një seancë, ka mbajtur një minutë heshtje.

Me pas kanë filluar nderimet për figurën e tij.

Duke kujtuar veprimtarinë , ata kanë vlerësua lartë rolin e akademik Qosjes në shumë sfera.

Ndër të parët që ka reaguar ka qenë kryeministri i Shqipërie, Edi Rama.

Në profilin e tij në Facebook, Rama ka shkrua se Qosja ishte një shqiptar i mirë.

LAMTUMIRË SHQIPTAR I MIRË. Ngushëllime vëllazërore familjes, të afërmve e miqve të Profesor Rexhep Qoses🙏.” , ka shkruar ai.

Ngushëllime ka shprehur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Një akademik i rrallë iku nga Panteoni… Rexhep Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve. Pusho në paqe, Profesor!”, ka shkruar ai.

Edhe përfaqësuesit politik të Kosovës kanë shprehur dhimbe të thellë për vdekjen e akademikut të shquar.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se Qosja ishte heroi i mendjes.

Rexhep Qosja, iku për në amshim, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke na kujtuar se krijuesi nderohet më së shumti me veprën që lë pas. Siç thoshte ai, heronjtë e mendjes i bëjnë ballë kohës më gjatë. Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat. Familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve të shumtë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, ka shkruar Haxhiu në profilin e saj në “Facebook”.

Kurse, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se për më shumë se gjysmë shekulli Rexhep Qosja ishte zëri i artikuluar me konsistencë i ndërgjegjes sonë kombëtare.

Shkencëtar, shkrimtar, akademik, profesor, veprimtar dhe kritik - kontributi i tij për studimin e letërsisë shqipe si dhe pasurimi i saj me vepra letrare si autor do të jetojnë gjithmonë. Ai kurrë nuk u mjaftua vetëm me punën shkencore të kabinetit. Gjatë viteve '80, në atë kohë kur ne ishim "popull i ndaluar", profesor Qosja u shqua me guximin e tij të palëkundur për demaskimin e hapur të shtypjes së Serbisë mbi popullin shqiptar. Kur erdhi koha e domosdoshmërisë së luftës së armatosur kundër okupimit Rexhep Qosja e kishte të qartë: vetëm mbështetja e UÇK-së na rreshton në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Konjufca.

Nderime për jetën dhe veprën e Qosjes kanë shprehur edhe liderët e opozitës.

Kryetari i PDK-së, Bedi Hazma ka vlerësuar se humbja e tij është e madhe jo vetëm për familjen tuaj, por edhe për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar.

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja. Humbja e tij është e madhe jo vetëm për familjen tuaj, por edhe për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Si akademik i shquar, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në mendimin shkencor dhe kulturor shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar dhe të pazëvendësueshme për brezat që vijnë. Si mendimtar i angazhuar në çështjet politike, akademik Rexhep Qosja kontribuoi edhe në rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në përpjekjet për liri e barazi të popullit tonë. Në këto momente të rënda për ju, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta. Kujtimi dhe vepra e akademikut Rexhep Qosja do të mbeten të përhershme”, ka shkruar Hamza në telegramin e ngushëllimit.

Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar Kosova ka humbur një nga figurat më të rëndësishme të jetës akademike.

Kosova humbi një nga figurat më të rëndësishme të jetës akademike. Përpjekjet e pandalshme të Akademik Qosja, veçanërisht në avokimin e të drejtave të shqiptarëve gjatë periudhave të vështira të okupimit, mbeten dëshmi e qartë e kontributit të tij të jashtëzakonshëm në jetën publike dhe shkencore. Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh në fushën akademike, por vepra, mendimi dhe trashëgimia që la pas do të mbeten përgjithmonë pjesë e kujtesës dhe historisë sonë. I përjetshëm qoftë kujtimi për akademik Rexhep Qosja”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Kush ishte Rexhep Qosja?

Rexhep Qosja, i cili vdiq sot në moshën 90 vjeçare, ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai ka qenë profesor dhe drejtues studimesh në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Gjithashtu, ai ishte edhe drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981.

I lindur në vitin 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja arsimin fillor e nisi në vendlindje dhe e vazhdoi në Guci.

Në vitin 1959 përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa një vit më vonë u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi më 1964. Rruga e tij akademike vazhdoi me angazhimin në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku u pranua si asistent në vitin 1967 dhe më pas u ngrit në nivelet më të larta shkencore.

Gjatë viteve 1967–1968 u specializua për shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit, ndërsa në vitin 1971 mbrojti doktoratën mbi jetën dhe veprën e poetit Asdreni. Pas kësaj, ai u bë bashkëpunëtor i lartë dhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nga viti 1972 deri më 1981 drejtoi Institutin Albanologjik, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve albanologjike.

Qosja ishte autor i mbi tridhjetë librave që përfshijnë studime letrare, kritikë, romane, tregime, drama dhe publicistikë. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Anatomia e kulturës” dhe romani “Bijtë e askujt”, për të cilin u nderua me çmimin “Pjetër Bogdani” në vitin 2010. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe kanë qenë objekt studimi në qarqe akademike.

Për kontributin e tij të çmuar, ai u nderua me shumë çmime, përfshirë çmimin “Nderi i Kombit” nga Republika e Shqipërisë në vitin 2000. Përveç veprimtarisë shkencore e letrare, ai ishte i angazhuar edhe në jetën politike të Kosovës, duke drejtuar një parti në periudhën 1998–2000.

Lajme të ngjashme