Kosova bindshëm para Francës për "rend dhe siguri": E vërteta 'qesharake' e indeksit ndërkombëtar me të cilin po fryhet VV-ja
A besoni se Kosova qëndron njëjtë si ShBA-ja sa u përket "rendit dhe sigurisë" dhe më mirë se Franca e Italia? Epo, duhet të besoni, sepse këto raporte përdoreshin nga pushtetarët tuaj (Albin Kurti, Kadri Veseli) se megjithatë po punonin diçka për ta justifikuar rrogën. Kjo është e vërteta qesharake (brenda kontekstit tonë, nuk nënkupton se raportet janë joserioze) e raportit ndërkombëtar të "World Justice Project".
“Kaloi koha kur na vinte keq të shikonim se ku rangoheshim!” – tha deputeti i Vetëvendosjes, Driton Hyseni gjatë ditës së djeshme për rangimin e Kosovës në "World Justice Project" të vitit 2022.
“Pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme të rindërtimit prej shkatërrimeve të luftës, shtet-ndërtimit dhe pengesave në arenën ndërkombëtare, Kosova ka mundur të arrij shumë në shumë pak kohë për sa i përket sundimit të ligjit. Ky indikator vlen veçanërisht si demantim ndaj atyre zërave nihilist në Kosovë, që mohojnë çdo arritje e progres që ka bërë vendin ynë” - kishte thënë Kadri Veseli për rangimin e Kosovës në "World Justice Project" të vitit 2020.
Në vitin 2022, Kosova doli e para në rajon sa i përket sundimit të ligjit. Në vitin 2020, Kosova kishte dalë e para në rajon sa i përket sundimit të ligjit. Në të njëjtin raport, sipas së njëjtës organizatë.
Pse VV-ja me të njëjtat fjalë me Kadri Veselin?
Dramaturgu irlandez, Oscar Wilde, e kishte shkruar këtë fjali një herë e një kohë: “Të mos bësh asgjë është gjëja më e vështirë në botë - gjëja më e vështirë, por edhe gjëja më intelektuale!”
Duket se pushteti beson në këto fjali, pasi ka vendosur të fryhet për gjëra të cilat nuk është se kanë ndonjë relevancë. E për më keq, edhe për gjëra për të cilat ishin fryrë më herët edhe pushtetet e kaluara.
Në indeksin e fundit të WJP-së, Kosova doli e 57-a në botë, një rangim që mund të cilësohet si mjaft pozitiv. Në vitin 2021 kishte qenë në vendin e 60-të, ndërsa në vitin 2020 kishte qenë në vendin e 54-të.
Kryeministri Kurti e ka përmendur në qindra fjalime të tij edhe indeksin e vitit 2021 të "World Justice Project". Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, në mënyrë që të mos përsëriteshin Kadri Veseli dhe PDK-ja, VV-ja e përmendi sivjet “vendin e dytë sa i përket përparimit në këtë indeks”.
Në bazë të rangimit, Kosovës i është rritur rangimi për 0.01 pikë, duke kaluar tashmë në 0.45 në pikët e përgjithshme.
Kosova është grupuar me vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore. Sa i përket këtij grupi shtetesh, ajo e zuri vendin e dytë, pas Gjeorgjisë.
Sidoqoftë, sa i përket rajonit tonë, që e quajmë Ballkan Perëndimor, Kosova del e para për vitin e tretë me radhë. Sivjet, menjëherë pas Kosovës janë Maqedonia e Veriut (0.53), Bosnia dhe Hercegovina (0.52), Serbia (0.49) dhe Shqipëria (0.49).
Para vitit 2020, nuk ka pasur matje për Kosovën – megjithëse vlerësimi bazohet edhe në ligje që janë miratuar gjatë gjithë dekadës së kaluar.
Bindshëm para Francës
Kosova është në vendin e 33-të në botë sa i përket kategorisë që quhet “Rend dhe Siguri”. Në të, Kosova ka marrë 0.83 pikë dhe qëndron përkrah ShBA-së me të njëjtën notë dhe shumë më mirë se shtete të zhvilluara perëndimore, si Franca dhe Italia.
Madje, nëse shikoni se ku është Franca (0.79), del se Kosova është goxha bindshëm para saj sa i përket këtij faktori.
Për këtë çështje, thuhet se “Krimi është efektivisht i kontrolluar”, “konfliktet civile janë efektivisht të kufizuara”, dhe “njerëzit nuk i kthehen dhunës për të zgjidhur mospajtimet personale”.
Kosova ka shënuar pikë të larta edhe në faktorin “Qeveria e hapur”, në “kufizimin e fuqive të Qeverisë”, “të drejtat fundamentale”, ndërsa më së paku pikë në “drejtësinë kriminale”.

Faktori Miftaraj
Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) ka pranuar se ka qenë mes njerëzve të përfshirë në pyetësorët e "World Justice Project" dhe ka pasur disa fjalë që duam t’i ndajmë me lexuesit tanë.
Ai e ka përmendur pasaktësitë në mënyrën se si po e çon këtë çështje përpara partia në pushtet.
“Kosova është më keq në renditje prej kohës kur ka ardhë VV në pushtet. Dhe, nuk ka hapësirë as për vetëkënaqësi e as për mburrje” – tha z. Miftaraj në një status në Facebook.
Ai e ka vazhduar komentimin edhe me një status tjetër në të cilin i ka listuar çështjet që janë marrë parasysh në indeks, dhe i ka shkruar këto fjalë:
“PDK ishte e para që kishte provuar të marrë meritat në vitin 2020, dhe si IKD, kemi dalë kundër përpjekjeve të tyre... Njëjtë sigurisht veprojmë edhe tani (me VV-në).” - tha ai.
Duhet të kujtojmë se Albin Kurti dhe vartësit e tij në VV nuk kishin thënë asnjë fjalë, kur Kosova ishte ranguar pozitivisht në raportin e vitit 2020.