Kosova bëhet Belgjikë vetëm me stërzgjatje të formimit të qeverive - NACIONALE

Kosova bëhet Belgjikë vetëm me stërzgjatje të formimit të qeverive

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

2014-a është viti kur Kosova kishte mbetur plot 184 ditë pa qeveri derisa Isa Mustafa ishte zgjedhur kryeministër. Edhe më 2019, pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, vendi kishte mbetur pa qeveri e institucione 120 ditë. Pazaret e brendshme mes VV-së dhe LDK-së kishin ngrënë një kohë tejet të gjatë. Edhe zgjedhjet e sivjetme duket se do të nënrenditen te historia e përhershme e zvarritjeve.

Me dështimin e sotëm të seancës themeluese të Kuvendit të Kosovës, në kalendar janë bërë 65 ditë prej zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kjo vonesë prej dy muajsh për formimin e qeverisë ngadalë por sigurt po e rikthen konstanten e viteve të kaluara me stërzgjatje.

Gjykuar nga historiku i zgjedhjeve të paspavarësisë, Isa Mustafa dhe Albin Kurti mbajnë ‘rekorde’ për sa u përket vonesave në formimin e qeverive të re.

Prej zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 e derisa ishte formuar qeveria e re me kryeministër Isa Mustafën kishin kaluar plot 184 ditë – ky hark kohor prej gjashtë muajsh kishte kaluar në një pritje si të Godosë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Një zgjatje bukur e madhe prej 120 ditësh ndodhi pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Përveç vonesave në certifikimin e rezultateve nga ana e KQZ-së, edhe pazaret e gjata negociale mes VV-së dhe LDK-së kishin bërë që vendi të ‘duronte’ gati katër muaj pa qeveri.

Një pritje relativisht e gjatë kishte ndodhur edhe pas zgjedhjeve të 11 qershorit të vitit 2017 – derisa ishte formuar qeveria në krye me Ramush Haradinaj kishin kaluar plot 90 ditë.


Megjithëse Kosova nuk është shtet federal dhe sistemi i saj politik jo kushedi sa i ndërlikuar, ajo paradoksalisht është në shoqërinë e shteteve me kriza politike paszgjedhore.

Një nga rastet më klasike të stërzgjatjeve në formimin e qeverive të reja është Belgjika – rekordi i saj është 652 ditë pa qeveri që i bie gati dy vite.

Prej dhjetorit 2018 e deri në tetor të vitit 2020, Belgjika nuk kishte pasur qeveri federale dhe në vend të saj kishte qenë një qeveri e përkohshme (interim).

Kriza të gjata paszgjedhore janë natyra e dytë e peizazhit politik belg.

Kjo për arsyen e thjeshtë se ky shtet i Beneluksit ka gjithsejt gjashtë qeveri – një federale dhe pesë rajonale.

Secila prej tyre ka një numër ministrash me pushtetin e tyre përkatës.

Belgjika është e ndarë në tre rajone: rajoni flaman, vallon dhe rajoni i Brukselit.

Sfondi historik i këtij mishmashi është ndarja e thellë mes Veriut flamanishtfolës (dialekt i holandishtes) dhe jugut vallonishtfolës (dialekt i frëngjishtes).


Të tre rajonet përbërëse të Belgjikës kanë kuvendet e tyre, ligjet, buxhetin dhe përfaqësuesit përkatës.

Gjërat në nivel qendror shpeshherë janë në fije të perit meqë përbërja e qeverive rajonale duhet të përkojë me atë të qeverisë federale.

Meqë zgjedhjet nacionale nuk ia dalin dot të përftojnë një shumicë të qartë – formimi i koalicioneve duhet t’i tejkalojë ndarjet gjuhësore, gjë që kërkon negociata shteruese e shpesh shkakton mosbesim.

Duke qenë zgjedhjet të mbështetura në përfaqësim përpjestimor, Kuvendi federal e ka të sigurt se do të jetë i copëzuar. Asnjë parti nuk fiton bindshëm, ndaj edhe koalicionet janë të obliguara, shpesh duke përfshirë nga 4 deri në 7 parti.

Pështjellimi shtohet edhe më shumë meqë partitë nacionaliste flamane janë më të prirura për të kërkuar më shumë autonomi e konfederalizëm, kurse partitë vallone (frëngjishtfolëse) në përgjithësi janë më profederale.

Por, derisa Belgjika ia del mbanë që jeta e shërbimet publike të vazhdojnë normalisht, ka raste të tjera edhe më të pashpresa.


Fjala vjen, Libani shquhet për peizazhin e vet gati të paralizuar.

Prej Marrëveshjes Taif (1989), që pasoi luftën e brendshme qytetare, formula e ndarjes së pushtetit duhet t’i shëmbëllejë realitetet e ndarjet fetare. Kjo nënkupton që presidenti duhet të jetë i krishterë maronit, kryeministri mysliman sunit, kurse kryekuvendari mysliman shiit.

Sipas njohësve të sistemeve politike, një formulë si kjo ushqen klientalizmin dhe korrupsionin; i pengon koalicionet ndërsektariane, dhe cilido grup mund ta bllokojë qeverinë. /NACIONALE/

C. Mehmeti

Lajme të ngjashme