Konjufca përtej Atlantikut: "As asi as ksi" për cilin Asociacion bisedoi me Escobarin?
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, po qëndron për vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Duke kujtuar deklaratën e tij të famshme “as asi, as ksi”, Konjufca nga Amerika ka treguar se cili Asociacion mund të bëhet në Kosovë.
Më i komentueshmi në VV për deklarata qesharake, Glauk Konjufca, tash e dy ditë po qëndron për vizitë zyrtare në Amerikë.
Takimin e parë, Konjufca e pati me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Konjufca me të ka biseduar për marrëveshjen e Ohrit dhe procesin e dialogut me Serbinë.
“Në takimin përmbajtësor me z.Escobar diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.” – ka shkruar Konjufca.
Më tej, Konjufca me Escobarin ka folur edhe për Asociacionin. Nuk dihet se cilin Asociacioni, “a asi a ksi”.
Megjithatë, i pari i Kuvendit ka thënë se Escobarit ia kanë ritheksuar qëndrimin e Kosovës dhe nga i cili kanë marrë garanci që nuk ka Asociacion “ksi”, pra që “që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.
“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.“
“Ndamë pikëpamje të njëjta që të vazhdojmë të punojmë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Gjithashtu, Glauk Konjufca, ka takuar ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Për takimin me Pelosin, Konjufca ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij në Tëitter ku ndër të tjera ka thënë se kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike në rajonin tonë.
“Biseduam për progresin e Kosovës, zhvillimet e fundit politike në rajonin tonë dhe rikonfirmuam partneritetin e shkëlqyer dypalësh ShBA-Kosovë. Shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen e saj të hapur për aspiratat euro-atlantike të Kosovës.” - ka shkruar Konjufca.
Ndërkohë ditë më parë, Konjufca në një intervistë nga nuk ka Asociacon “as asi, as ksi”, ai kishte thënë se Asociacioni nuk duhet të jetë asgjë përtej asaj çfarë ka shkruar Gjykata Kushtetuese.
“Kosova përmes një premtimi dhe instruksioni të Gjykatës Kushtetuese, po don me nxjerr njohjen de facto, qekaq e thjesht matematikisht, mendoj se të kishte qenë ky pozicionim i Kosovës. Pra kurgjo duke mos dhënë më shumë se Gjykata Kushtetuese që na ka thënë, na me mujtë me kap njohjen de facto prej Serbisë, që do të ishte shumë ecje e madhe përpara. Por unë nuk mendoj se do të ndodhë kjo, sepse Serbia nuk do ta pranojë këtë.” – deklaroi Konjufca në ATV.
Ndryshe debati për Asociacionin është temë aktuale politike në vend.
Ndërkombëtarë po kërkojnë që Kosova të themelojë mënjëherë Asociacionin.
Gjithashtu, kjo kërkesë u shtua edhe më shumë pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë më 18 mars në Ohër mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.
Ndërkohë me marrëveshjen e Ohrit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq më 18 mars, u shtua edhe fjala vetëmenaxhim.
Sipas pushtetarëve kjo fjalë nuk do të thotë vetëqeverisje dhe nuk ofron autonomi për serbët në Kosovë.
Për këtë marrëveshje Kurti dhe pushteti thonë se Kosova ka fituar dhe se Serbia e ka njohur defacto shtetin e Kosovës.

