Konjufca: Për zgjedhjet e reja në veri Kosova e ka opsionin e vet ligjor
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se edhe për zgjedhjet e reja në veri duhet të respektohet disa procedura ligjore.
Ai ka vlerësuar se ky proces nuk duhet të mbahet kundër rregullave kushtetuese të Kosovës.
Sipas tij, për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve Kosova e ka opsionin e vet ligjor.
“Edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja, duhet të shkohet me procedura kushtetuese, jo me procedura antidemokratike. Pasi, edhe qysh shkohet në zgjedhje të reja, Kosova e ka opsionin e vet ligjor dhe demokratik civil. Kurse, Serbia e ka opsionin e ushtrimit të dhunës përmes grupeve që janë të orkestruara”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka treguar se deri me tani nuk ka ndonjë pajtueshmëri të qartë për këtë çështje.
“E vetmja pajtueshmëri e qartë ishte ajo e nivelit politik, jo konkret dhe praktik sesi të ecet përpara. Por e nivelit politik që të gjithë pajtohen se ka nevojë për zgjedhje të reja në veri. Ky është i vetmi emërues i përbashkët që e ka karakterizuar takimin (e Brukselit). Të tjerat, sa i përket kërkesave të zotëri Vuçiq, ato janë të papranueshme për Kosovën natyrisht”, ka thënë ai në një intervistë për Kosovapress.