Konjufca i “çel letrat”: Masat e BE-së të padrejta, beteja për veriun më e rëndësishmja pas çlirimit - NACIONALE

Konjufca i “çel letrat”: Masat e BE-së të padrejta, beteja për veriun më e rëndësishmja pas çlirimit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend. Në një intervistë për televizionin T7, Konjufca ka shpalosur qëndrimet e tij rreth masave të BE-së, tensioneve në veri e marrëdhënieve të trazuara të Kosovës me aleatët e saj. Kryekuvendari ishte i qartë, duke i cilësuar masat e BE-së si të padrejta, teksa “betejën për veriun” e konsideroi si më të rëndësishmen pas çlirimit më 1999. Çka tha Konjufca?

Pas disa ditë heshtje, kryetari i Kuvendit, pra filozofi Konjufca, ka treguar mendimet e tij rreth masave të BE-së. Në fakt, këto masa janë kritikuar nga shumë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, por edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë “valle të kritikës” ndaj BE-së për masat hyri sot edhe z. Konjufca. Ai i cili i cilësoi si të padrejta këto masa të BE-së, pasi, sipas tij, ato u vendosën vetëm ndaj Kosovës, thuajse Serbia nuk ka asnjë përgjegjësi për tensionimin e situatës në veri.

“Nga ky aspekt më duken si të padrejta, thuajse se Serbia ska kurrfarë përgjegjësie për ato që po ndodhin në veri. Përgjegjësia e Vuçiqit është e drejtpërdrejtë. ka dalë publikisht dhe i ka kërkuar serbëve të japin dorëheqje, ai e filloi. Institucionet mbeten vakante. Tash ishin dy opsione ose të triumfonte ai Vuçiqit ose ai i Kosovës. Dy herë e kemi shtyrë afatin për zgjedhjet.” - tha Konjufca në një intervistë për T7, transmeton Express.

Konjufca komentoi edhe kritikat ndaj Kosovës, duke theksuar se puna për shtensionimin e situatës nuk kryhet duke e fajësuar vetëm Kosovën. Tutje, ai ka vlerësuar se Kosova duhet ta bindë bashëksinë ndërkombëtare dhe ta fitojë betejën aktuale.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare mendon që vetëm Kosova i ka fajet dhe përgjegjësinë për këtë situatë, kjo s’kryhet kurrë. Kjo ka me mbetur kështu përgjithmonë. Por, unë mendoj që duhet ta bindim bashkësinë ndërkombëtare dhe do ta fitojmë këtë betejë patjetër. I kemi fituar edhe shumë tjera të rëndësishme në të kaluarën.” – theksoi ai.

Madje, “betejën për veriun”, Konjufca e ka cilësuar si më të rëndësishmen pas çlirimit të Kosovës.

“Por, unë mendoj që pas çlirimit të Kosovës më 1999, kjo është beteja më e rëndësishme për karakterin e shtetit tonë sepse shteti i Kosovës duhet të jetë shtet unitar. Republikë e bashkuar. Kjo betejë është për Republikën e bashkuar. Ose këtë tjetrin opsion s’mund ta imagjinojë sepse është shumë i keq. Është shtet i ndarë. Për shumë kohë ka qenë i ndarë. Kosova prej 99-ës kështu dyqysh ka funksionuar. Edhe ajo ka qenë iluzore në vitin 2008 dhe 2011, sepse u pa që këta kur do ta zbatosh ligjin dhe kushtetutshmërinë atëherë e sheh fytyrën e vërtetë të Listës Serbe. Ata i kanë pasë kryetarët e komunave atje, por kjo s’do të thotë që kanë punuar për shtetin e Kosovës. Në momentin kur u qartësua situata e treguan fytyrën e vërtetë. Shkuan te Vuçiqi atje gatitu dhe i përgatitën grupet e tyre për të gjuajtur shok-bomba. D.m.th, në fund të fundit, ata i përgjigjen Beogradit. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër.” - deklaroi Konjufca në një intervistë për T7.

Konjufca foli edhe për dhunën ndaj KFOR-it, duke shtruar një pyetje retorike.

“Kush është përgjegjës për këtë dhunë? Ai polici me shkop në dorë që e pamë e që e qiti ai deputeti i Bundestagut. Ai ishte polic i Serbisë. Ai punonte me uniformë të Serbisë në Smederevë a ku punonte dhe pasdite kishte ardhur këtu me bo dhunë mbi ushtarët e KFOR-it. Kur i sheh të gjitha këto dhe me marrë masa ndaj Kosovës, me të vërtetë kjo po më pikëllon.” – tha Konjufca në T7.

Ndryshe, sot në Kosovë ka qëndruar Miroslav Lajçak, emisar special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani në kërkim të një “rrugëdalje” nga tensionet në veri.

Lajme të ngjashme