Konjufca dhe drafti i Asociacionit: I pari e shpalli në përputhje me kushtetutën, tash sulmon BE-në për të
Me një shikim thjesht “sipërfaqësor” kryekuvendari Glauk Konjufca i pari e kishte pagëzuar “plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës” draft-Statutin për Asociacionin të ofruar në fund të tetorit të vitit të kaluar nga ajo që quhej “Pesëshja e Madhe”.
Kur ky draft-Statut qe dorëzuar në Zyrën e Kryeministrin nga ky pentagon diplomatësh të lartë – dhe kur publiku ende s’e kishte lexuar as edhe një germë të vetme të këtij dokumenti – Konjufca ishte i pari që kishte hequr shqetësimet publike si-me-dorë.
Por, – si me rastin “Asociacion as kësi, e as asi” – Konjufca në ndërkohë ndërroi.
Tashmë kur ky dokument është bërë i patjetërsueshëm në qëndrimet e mbarë QUINT-it dhe është shndërruar në kusht gjithandej për vendin; Konjufca e flaku tutje si mundësi që ky draft-Statut të jetë valid për vendin.
Sot, Konjufca lëshoi akuza ndaj Bashkimit Evropian se nuk po e trajton Kosovën si shtet: me arsyetimin – që s’e kishte bërë kur ishte sjellur, por e kishte miratuar e pëlqyer – se po i merrene kompetencat shtetit kosovar në ofrimin e një draft-Statuti.
“Nuk mundet në vend të Kosovës, me e propozu draftin e Asociacionit, Bashkimi Evropian, kjo i bie që Bashkimi Evropian me ia grabitë një kompetencë shtetëtore Kosovës, një kompetencë për të cilën edhe vet Brukseli (...)”
“(...)në negociatat që i ka organizuar vet, e ka të shkruar në njërën prej marrëveshjeve, sipas marrëveshjeve të deritashme të arritura dhe procesit si ka shkuar, Kosova e ka këtë të drejtë, Kosovës i garantohet e drejta për paraqitjen e draf-statusi për Asociacionin”, tha Konjufca.
Konjufca tash – ndonëse kaherë kërkohej nga ShBA-ja – i qëndron asaj që vendi duhet të hartojë një dokument për Asociacion.
“BE-ja tani mund të na kritikojë, me thënë që jeni vonuar ju, nuk e keni paraqitur draftin e Asociacionit, ne mund të themi a ka pasur afat preciz, deri kur Kosova kur ta paraqesë, nuk ka pasur, pra më shumë është varur nga dinamika (...)”
“(...) nga dinamika kohore të procesit të negociatave të Brukselit. Ndoshta ne mund ta pranojnë kritikën, që jemi vonuar, por vonesa nuk do të thotë me ia marrë kompetencën Kosovës”, tha Glauk Konjufca.
Transformimi i shpejtë i Konjufcës rreth draftit
Prej plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – dhe atë të konkluduar “thjesht me një shikim sipërfaqësor” – Konjufca nisi muaj më vonë ta quaj “skandaloz” dhe “të rrezikshëm” dokumentin.
Tash më s’kishte shikim sipërfaqësor, por e shihte m’u në bosht dokumentin: Rezolutën 12/44 dhe Arbitrazhin.
“Është i dëmshëm drafti. Arbitrazhi aty është krejt skandaloze. Ka shumë pika të dëmshme aty”, i thoshte Glauk Konjfuca teksa gazetarit Adriatik Kelmendeti.
Teksa gazetari i bënte nënpyetje pasuese, Konjufca i kthehej me një pyetje: “Çka je tu fol more? Nuk implementohet ai draft”.
Draft-Statuti i Asociacionit – përkatësisht procedimi i tij për rishikim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese – është bërë kusht-gjithandej për vendin: prej dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës e deri edhe te Plani i Rritjes së BE-së, nga ku Kosova supozohet të fitojë 800 milionë euro kredi/grante.