Konfirmohet raportimi i Nacionales: Miftaraj tregon se Haxhiu e ka shkarkuar nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë - NACIONALE

Konfirmohet raportimi i Nacionales: Miftaraj tregon se Haxhiu e ka shkarkuar nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Vehbi Miftaraj ka konfirmuar se është shkarkuar nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë.

Një ditë pas raportimit të gazetës Nacionale për këtë çështje, ai ka bërë me dije se këto dita ka pranuar dekretin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ka qenë nderi jetësor se tij ta udhëheq këtë mision.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës! Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e U.D. Presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë. Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht. Falënderoj Presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim. Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi. Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme