Konfirmohet raportimi i Nacionales, Gërvalla flet publikisht për ndërhyrjen në zgjedhje: Kemi marrë obligime për organizimin e zgjedhjeve - NACIONALE

Konfirmohet raportimi i Nacionales, Gërvalla flet publikisht për ndërhyrjen në zgjedhje: Kemi marrë obligime për organizimin e zgjedhjeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, nuk e ka ndërmend të ndalet në ndërhyrjen e procesit zgjedhor të 9 shkurtit.

Pas raportimit të gazetes Nacionale së MPJD-ja ka kërkuar nga ambasadat e Republikës së Kosovës që të sigurojnë salla për votimin e diasporës, kryediplomatja Gërvalla ka folur edhe publikisht për ndërhyrjen në procesin zgjedhor dhe për ushtrimin e kompetencave që i takojnë vetëm KQZ-së.

Pavarësisht se PZAP-ja dhe Gjykata Supreme kanë vendosur se vendimi i KQZ-së për caktimin e numrit të vendvotimeve dhe numrin maksimal të votuesve në secilën përfaqësi diplomatike ka qenë i drejt, Gërvalla ka thënë se ka qenë e detyruar që të marrë në dorë kompetencat e KQZ-së.

Në si ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të detyrimeve, obligimeve që kemi marrë për organizimin e zgjedhjeve jashtë vendit, bazuar në ligjin për zgjedhjet, rregulloren e KQZ-së dhe bazuar në Kushtetutën e Kosovës, jemi të detyra të ofrojmë të gjitha mundësitë, me qëllim që asnjë qytetar i Republikës, i cili e ka të drejtën e votës, mos të detyrohet t`i imponohet mënyra se si ai e jep votën. Për shkak se edhe ligji dhe kushtetuta nuk bën asnjë kufizim dhe asnjë dalim në mes qytetarit jashtë vendit dhe brenda vendit”, ka thënë Gërvalla, dje në një konferencë për media.

Ajo ka bërë me dije se për këtë gjë është në bashkëpunim me KQZ-në.

Me ndryshimin e ligjit, është hera e parë që organizohen zgjedhjet në ambasada dhe konsullata dhe jam e sigurt që se bashku me KQZ-në do t`i gjejmë mënyrat më të mira, me qëllim që askush të mos privohet nga e drejta e tij për të zgjedhur vet mënyrën se si duan të votojnë”, ka thënë Gërvalla.

Shefja e diplomacisë nuk e ka përmendur fare vendimin e PZAP-së dhe Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, që vlerësojnë së vendimi i KQZ-së ka qenë i drejt.

“E di që ka një vendim të KQZ-së, që është marrë sapo kanë filluar përgatitjet për zgjedhje. Ne jemi në kontakt dhe në biseda të vazhdueshme me KQZ-në. Të jeni të sigurt, që të dyja palët do të bëjmë çmos me qëllim që qytetarët të jenë ata që vendosin si e japin votën, jo t’ju imponohet në njëfarë mënyre”, ka thënë ajo, duke paralajmëruar hapa tjerë në të ardhmen.

Se cilat hapa do të ndërmerren deri atëherë, aty do të jemi transparent dhe do të jemi vazhdimisht në komunikim me KQZ-në. Është e vërtetë që në shtetet ku kemi shumë qytetar, për shembull vetëm në Stuttgart dhe rrethinë kemi votues më shumë se në Prizren dhe ne jemi të detyruar të gjejmë mënyrë se si t’u mundësohet të japin votën në mënyrën që ata e kërkojnë”, ka thënë Gërvalla.

Tentativë për të manipuluar zgjedhjet

Insistimi i MPJD-së për të siguruar salla për votimin e diasporës, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e gjykatave, është kritikuar ashpër nga njohësit e rrethanave politike në vend.

Drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, ka bërë me dije se kjo këmbëngulje e MPJD-së është tentativë e partisë në pushtet për të manipuluar zgjedhjet në diasporë.

Është rrezik i madh sepse tregon se ka tentativë të partisë në pushtet për të manipuluar zgjedhjet në diasporë, sepse me gjasë e ka nuhatur që nuk i ka votat që i kanë pasur në zgjedhjet e kaluara dhe tani mundohen me veprime të kundërligjshme me mbërri me marrë sa më shumë vota në diasporë”, ka thënë Demhasaj për ATV.

Veprimin e MPJD-së e ka kritikuar edhe ish-kryediplomati i Kosovës, Petrit Selimi.

Në rrjetin social “X”, ka shkruar se kjo është një ndërhyrje skandaloze antikushtetuese.

Sipas tij, vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të drejtën për të marrë vendime në lidhje me zgjedhjet.

“Qeveria e Kosovës urdhëron Ministrinë tonë të Jashtme që të kërkojë objekte alternative në vende të huaja për votimin e diasporës. Kjo është një ndërhyrje skandaloze antikushtetuese. Vetëm KQZ ka të drejtën kushtetuese për të marrë, financuar dhe ekzekutuar vendime në lidhje me zgjedhjet.”, ka shkruar Selimi.

Çka thuhet në kërkesën e MPJD-së?

Para dy jave, gazeta Nacionale ka raportuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e posteve konsullore që të kërkojnë hapësira të reja për votim në vendet ku janë akredituar.

Kërkesa në fjalë udhëzonte në detaje shefat e misioneve se si duhet të veprojnë në sigurimin e këtyre hapësirave.

Me qëllim të përmbushjes së obligimit ligjor të MPJD-së, lidhur me organizimin e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, kërkojmë nga ju që me prioritet të kërkoni nga autoriteti komunal\rrethi konsull\operator, informacion mbi mundësitë e ofrimit të hapësirave publike ose publiko/private, me apo pa pagesë, me qëllim të realizimit të procesit zgjedhor përmes votimit fizik, nën kontraktimin dhe shfrytëzimin e përfaqësive diplomatike apo posteve konsullore”, thuhet në kërkesën e MPJD-së për misionet diplomatike, të cilën e ka siguruar Nacionale.

Aty specifikohet, se shefat e misioneve diplomatike mund të marrin në shfrytëzim qendra sportive, salla dhe objekte tjera për ditën e votimit.

Nga autoritet\operatori duhet kërkuar ofrimi i objekteve si: qendra sportive, kulturore, salla, galeri, apo tjetër, të cilat janë të përshtatshme të shfrytëzohen për organizimin e votimit fizik, gjatë ditës së zgjedhjeve, më datë 7 dhe 8 shkurt 2024. Objekti duhet të ketë hapësirë ose dhoma shfrytëzimi”, thuhet në kërkesë.

Lajme të ngjashme