Konfirmohet: Kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit betohen të enjten, ende s'dihet kur ai i Leposaviqit - NACIONALE

Konfirmohet: Kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit betohen të enjten, ende s'dihet kur ai i Leposaviqit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Afati ligjor për betimin e kryetarëve të zgjedhur në veri, më saktësisht Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq, po përmbushet. Megjithatë, tashmë janë bërë publike data e ora kur kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në Zubin Potok e Zveçan do të betohet në një seancë solemne.

Kryetari i zgjedhur i Zveçanit, Ilir Peci, dhe ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i kanë konfirmuar Klan Kosovës, se do ta japin betimin si kryetarë të rinj të enjten duke filluar nga ora 10:00.

“Të enjten jepet betimi, seanca do të nisë nga ora 10:00.” – janë deklaruar Peci e Zeqiri për Klan Kosova, transmeton Nacionale.

Por ende nuk dihet se kur do të betohet kryetari i zgjedhur pari i Leposaviqit, Lulëzim Hetemi, ndonëse i njëjti e konfirmoi se Kuvendi komunal do të konstituohet enjten.

Veriu...

Ndryshe gjatë ditëve të fundit ka pasur një mori reagimesh nga Serbia e Lista Serbe. Në fakt, këto dy entitete politike kanë kërcënuar dhe kanë dhënë ultimatume, duke i kundërshtuar betimet e planfikuara të kryetarëve të votuar në zgjedhjet e 23 prillit. Ndër të parët që foli ishte ish-kryetari i Mitrovices së veriut, Milan Radojeviq, i cili paralajmëroi konflikte dhe incidente, siç tha ai, për t’i mbrojtur institucionet dhe mënyrën e jetëses së tyre.

“Ne vetëm se po mbrojmë mënyrën tonë të jetës. Ultimatumi jonë për Kurtin që të ndalojë represionin deri më 1 qershor është një lëvizje skajshmërisht e detyruar dhe që detyrohemi ta bëjmë. Askush nuk po pyet se kur Kurti do ta ndalojë represionin, askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk po pyet kur do të tërheq njësitë speciale, t’u bindet ligjeve për kthimin e tokave të Manastirit të Deçanit. E po, këtë e thotë Gjykata Kushtetuese e tyre para shtatë viteve. Ajo Kushtetutë nuk po duket të zbatohet në këtë rast.” - deklaroi ai.

“Ne i paralajmruam se situata është e vështirë dhe se do të jetë çështje kohe kur disa individë mund të marrin drejtësinë në duart e tyre për të mbrojtur familjen. Lista Serbe qëndron me popullin e saj dhe të gjitha vendimet do t’i marrim me popullin”, shtoi ai.

Ndërsa Slavko Simiq, përfaqësues i Listës Serbe, e kishte cilësuar si okupim të komunës së Mitrovicës së Veriut betimin e Erden Atiqit nga VV-ja. Tutje, Simiq deklaroi se Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, duhet të ndalë “përndjekjen e serbëve”, ose pas 1 qershorit do të tregojnë format e tyre të rezistencës.

“Sot ka filluar okupimi i veriut zyrtarisht, ne jemi për ta ruajtur paqen por durimit i ka ardhur fundi, andaj i japim afat Albin Kurtit që deri më 1 qershor të ndaloj represionin, përndjekjen, arrestimin e serbëve dhe të tjera. Nëse kjo nuk ndalet deri më 1 qershor, ne do të tregojmë format tona të rezistencës.” - deklaroi Simiq.

Kujtojmë që Jeff Hovenier, ambasador i ShBA-së në Prishtinë, në një intervistë për Telegrafin, kishte thënë se çfarëdo aktiviteti kriminal që synon të pengojë kryetarët e zgjedhur për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre do të përballet me dënim të ashpër nga SHBA.

“Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar”, tha ambasadori amerikan.

Tutje, Hovenier kishte thënë se kryetarët e rinj të komunave në veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të dëshirueshëm.

“Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur. Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori.

Lajme të ngjashme