Komunat problem me faqet zyrtare, thonë se Qeveria s’po ua zgjidh problemin - NACIONALE

Komunat problem me faqet zyrtare, thonë se Qeveria s’po ua zgjidh problemin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komunat e Kosovës po kanë problem me faqet zyrtare, të cilat sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës nuk po funksionojnë, gjë që rrjedhimisht, po e pamundëson publikimin e dokumenteve.

Përmes një komunikate për media, AKK ka deklaruar se kjo penalizon komunat të cilat raportojnë në platformën e Grantit të Përformancës.

“Këto shqetësime, Kolegjiumi i Zyrtarëve për Komunikim me Publikun në Komuna, e kanë paraqitur disa herë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, por ende nuk është bërë asnjë zgjidhje dhe komunat janë duke marrë barrën e dështimit, pa fajin e tyre.” – thuhet në njoftimin e tyre.

Veç kësaj, sipas AKK-së kanë humbur në pjesë e madhe e dokumenteve dhe është e vështirë të identifikohen dokumentet e humbura.

“Zyrtarët për Komunikim me Publikun në Komuna, janë duke shqyrtuar mundësinë të mos raportojnë fare në platformën e Grantit të Performancës për vitin 2022, pasi që të gjitha penalizohen për shkak se shumica e indikatorëve në këtë Grant, kanë të bëjnë me publikimin e dokumenteve. Poashtu Komunat janë duke u penalizuar jo vetëm në matjen për Grantin e Perofmancës nga MAPL, por edhe në të gjitha matjet e OJQ-ve, nga Auditorët e Jashtëm, qytetarët, mediat dhe në secilin dimension tjetër që ka të bëjë me transparencën komunale.” – thuhet tutje.

AKK ka deklaruar se ky është viti i dytë që ka vështirësi në funksionimin e faqeve, dhe se Qeveria nuk është marrë me këtë çështje që është në menaxhimin e tyre.

“Zyrtarët e ngarkuar për publikimin e dokumenteve, kanë përgjegjshmëri të lartë në mirëmbajtjen e tyre dhe falë përkushtimit të tyre, shumica e komunave në vlerësimet që ju bëhen, sikurse nga niveli qendror për grant të performancës, ashtu edhe nga shoqëria civile e mediat, kanë avancim shumë të theksuar në transparencë, sidomos pas unifikimit të web faqeve me programinWordPress, por tani pa fajin e tyre, Komunat në Republikën e Kosovës do të penalizohen në matjen e performancës.” – është thënë më tej.

Në fund AKK ka thënë se Qeveria nuk ka pasur vullnet për zgjidhjen e këtij problemi.

“Këto shqetësime ka kohë që janë ngritur nga Kolegjiumi për Komunikim me Publikun dhe Kolegjiumin e Zyrtarëve Komunal të IT-ve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës por deri më tani nuk është hetuar ndonjë vullnet nga niveli qendror për të zgjidhur këtë problem.”

Lajme të ngjashme