'Kompromisi' i Kurtit: Pranoni kushtet tona, antikushtetuese - NACIONALE

'Kompromisi' i Kurtit: Pranoni kushtet tona, antikushtetuese

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Pas takimit pa rezultat mes partive politike, Albin Kurti, deputet dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, doli në konferencë për media, ku foli për rreth 10 minuta, fillimisht se si partia e tij po tregon gjoja gatishmëri për kompromis që nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, e cila u dha partive një afat 30-ditor për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik, i krijuar nga dështimet e njëpasnjëshme për të konstituuar Kuvendin.

Por, ajo që filloi si përpjekje për ta paraqitur Vetëvendosjen si palë të gatshme për marrëveshje, përfundoi me një deklaratë që nxori në pah pikërisht të kundërtën.

“Tash ne e dimë që partitë opozitare kanë treguar preferenca për emrat e Vetëvendosjes, mirëpo kjo nuk është mënyra qysh ndërtohen shëndetshëm institucionet. Cili është kuptimi që të dalësh subjekti fitues në zgjedhje, nëse në fund, pasi që del subjekti fitues, duhet kundërshtarët e tu humbës ta përzgjedhin se kush duhet të udhëheqë me institucionin më të lartë? – tha Kurti.

Në njërën anë, Kurti i referohet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe thotë:

“Gjykata ka përmendur tre togfjalësha interesantë: bashkëpunim në mirëbesim, konsultim konstruktiv dhe konsensus apo kompromis.”

Ai më tej pretendon se:

“Ne e bëmë edhe konsultimin konstruktiv. E bëmë edhe bashkëpunimin në mirëbesim... dhe kemi ofruar kompromis.”

Por pastaj, në deklaratën e mësipërme, Kurti e përjashton çfarëdo kompromisi real për burimin e problemit duke thënë:

“Cili është kuptimi që të dalësh subjekti fitues në zgjedhje, nëse në fund... duhet kundërshtarët e tu humbës ta përzgjedhin se kush duhet të udhëheqë me institucionin më të lartë?”

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e lexoi krejt këtë manovër të Kurtit si 'aktrim për të përmbushur' obligimin.

“Takimi i ftuar nga Kurti për të aktruar mbushjen e një obligimi që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia jep për konsultime në mirëbesim dhe përgjegjësinë për të gjetur kompromis, rezultoi i pasuksesshëm sepse situata s’është e njëjtë, por Kurti është i njëjtë”, ka thënë ai.

Krasniqi gjithashtu shprehu shqetësimin e tij lidhur me mënyrën se si Kurti e kishte interpretuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në takimin e sotëm mes liderëve politikë.

Sipas tij, Kurti se "s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë".

“Është shqetësues fakti që Kurti me aq sa e pash në takim kishte interpretim të çuditshëm të aktgjykimit. Ai mendonte se s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë dhe as në mënyrën se si janë mbajtur seancat”, ka thënë Krasniqi.

Gjykata Kushtetuese e ka qartësuar se “votimi i fshehtë”, forma që Lëvizja Vetëvendosje pretendonte se mund t’i obligoj deputetët ta zgjedhin Kryetarin e Kuvendit, në fakt sipas Kushtetutës së Kosovës nuk është e mundur.

Sipas vendimit të Gjykatës, mandati i deputetit është i lirë dhe asnjëherë nuk mund të kushtëzohet apo detyrohet kushtetutshmërisht që të votojë në një mënyrë të caktuar. Për më tepër, Kushtetuta e Kosovës parashikon qartë raste të veçanta ku kërkohet votimi i fshehtë, si për shembull zgjedhja e Presidentit të Republikës.

Në të njëjtën linjë kritikash u shpreh edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e cilësoi takimin si një farsë politike, duke nënvizuar se Kurti nuk tregoi as vullnet për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, as angazhim për ndërtimin e një shumice funksionale në Kuvend.

“Takimi ishte më tepër farsë publike se substancial pasi qëndrimet e deputetit Kurti ishin pak a shumë të njëjta, as nuk e respektonin, as nuk e interpretonin njëjtë vendimin e Kushtetueses – as për votimin e fshehtë, as për shumicën. Për LDK-në është evidente se përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit. Kurti e pranoi që nuk ka shumicë, por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake”, tha Abdixhiku.

Lajme të ngjashme