Kompania “Vita”: Bosnja po bllokon produktet nga Kosova
Kompania “Vita” ka bërë me dije se Bosnja dhe Hercegovina përmes barrierave jo-tarifore po pengon eksportimin produkteve të saj në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Përmes një komunikate për medie, kjo kompani ka treguar se në këtë mënyrë Bosnja është duke e shkelur marrëveshjet regjionale të Tregtisë së Lirë.
Sipas kompanisë, kjo po i shkakton dëme bizneseve nga Kosova.
“Kompania Vita si lider dhe themeluesi i industrisë së qumështit në Kosovën e pas luftës është duke u bllokuar me barriera jo tarifore të eksportoj produketet në territorin e Bosnjës dhe Hercegovines duke mos respektuar marrëveshjet regjionale të Tregtisë së Lirë dhe duke i shkaktuar dëme ekonomike direkte vendit tonë.”, është thënë komunikatë.
Kompani ka bërë me dije se kanë bërë përpjekje që këtë çështje ta diskutojnë me autoritetet boshnjake, por deri me tani nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje.
“Vita” pretendon se Bosnja duhet t`i trajtojë produktet e Kosovës njëjtë qysh Kosova i trajtojnë produktet boshnjake.
“Ne kemi bërë tentime të vazhdueshme me institucionet e Bosnjes dhe Hercegovines në mënyrë që të kemi trajtim të njëjtë siç kanë produket e importuara nga Bosnja në vendin tonë, siç është qumështi MIGI, Milko, Megle dhe shumë produkte të tjera ushqimore, mirëpo deri më tani vetëm jemi injoruar dhe bllokada vazhdon.”, është vlerësuar në komunikatë.
Më tej, kompania iu ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të bëjnë një zgjidhje për këtë çështje.
Sipas kompanisë këto bllokada nga vendet e regjionit janë duke e dëmtuar të hyrat tatimore të Kosovës.
“Prodhuesit vendorë janë duke bërë përpjekje jashtëzakonisht të mëdha në sigurimin e tregjeve dhe ngritjen e eksportit, bllokadat e tilla nga vendet e regjionit janë duke e dëmtuar vendin tonë si në të hyra tatimore ashtu edhe në sigurimin e një mirëqenie për qytetarët tanë. Shpresojmë që institucionet tona të marrin masa sa më shpejt që të aplikohen parimet e trajtimit të barabartë në Tregti të Lirë”, është thënë në komunikatë.
Të dhënat tregojnë se bilanci tregtisë mes dy vendeve nuk është i njëjtë.
Sipas këtyre të dhënave, Kosova importon përafërsisht 66 milionë euro nga Bosnja, kurse kjo e fundit importon vetëm 11 milionë euro nga Kosova. /Paparaci.com/

