Kompania tjetër e etiketuar nga Kurti paralajmëron padi ndaj tij: Na e dëmtoi imazhin, vetëtima na dogji pajisjet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte sot për vizitë në Shërbimin Spitalor nga ku hodhi akuza mbi dy kompanive. Por, tash njëra prej tyre ka reaguar duke paralajmëruar edhe padi.
Kompania Security Code dhe kompania Quantic u etiketuan nga kryeministri i vendit si përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave duke thënë se “kishin dështuar në kryerjen e punëve të tyre.”
Më herët, Nacionalja e konfirmoi se kompania e parë kishte për bashkaksionar z. Milazim Lushtaku, djalin e vëllait të politikanit Sami Lushtaku.
Ky i fundit i tha Nacionales se përmendja e kompanisë së djalit të vëllait të tij ishte bërë me motive politike.
“Edhe Serbia qishtu na ka ndjek si Albin Kurti... (A e keni kushëri, Milazim Lushtakun?)... “Ai është marrë me këtë kompani për shkakun tim, Normal.” - tha ai.
Quantiku dhe vetëtima
Deri tash, kompania Security Code nuk ka reaguar në lidhje me rastin por një reagim të ashpër e ka bërë kompania Quantik.
Kjo kompani thotë se “nuk ka kontratë për mirëmbajtje të kamerave apo vendosje të tyre” siç aludoi kryeministri i vendit.
Ata thonë se kanë kontratë për “mirëmbajtjen e laurave (pop. Rampave) dhe vijueshmërisë në punë.”
Në bazë të informacioneve të siguruara nga gazeta Nacionale, del se kompania në fjalë kishte nënshkruar kontratë më 4 maj 2022, ose në kohën kur në pushtet veçse ishte Qeveria Kurti II.
“Para disa jave ka pasur vetëtimë, ku janë djegur të gjitha pajisjet elektronike të laurave dhe pajisjet e vijueshmërisë, gjithashtu edhe kamerat ku vetëtima ka dëmtuar pajisjet tona. Ne si kompani kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme, i kemi rregulluar brenda 24 ore pajisjet që janë në kontratë.” – thuhet më tej në reagim.
Kjo kompani ka paralajmëruar padi ndaj kryeministrit të Kosovës “për prishje imazhi të kompanizë dhe dezinformata rreth mirëmbajtjes së tyre”
Kryeministri i vendit në reagimin e tij në mëngjesin e sotëm kishte pasur një fjali mjaft të ashpër në statusin ku përmend këto dy kompani:
“Të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin.” - u shpreh ai.
Dy vetura të Musa Vitisë raportohet se ishin djegur, njëra më 19 gusht (e markës Mercedes) dhe tjetra më 7 tetor (e markës Audi).
Nuk dihet se cilat janë rezultatet e hetimeve policore në lidhje me djegien e këtyre dy veturave. Ajo që dihet është se në fund të muajit gusht kishte pasur vetëtima, dhe njëra prej tyre madje ishte mediatizuar edhe nga Vetëvendosje që kishte publikuar mos-frikën e Kurtit ndaj tyre.
Sidoqoftë, moti më datën 7 tetor ishte i mirë siç mund të evidentohen edhe në fotografinë në fjalë. Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë drejtorin menaxhues të kësaj kompanie, z. Shpëtim Gashi, por i cili nuk ishte i qasshëm për komunikim.

