Fatura e bërllokut, “Pastrimi” kërkon shtrenjtimin e saj nga 4,7 euro në 7,5 euro
Kompania “Pastrimi”, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës të bëjë miratimin e rritjes së çmimit të faturave.
Zëdhënësja për media në këtë kompani, Arbnora Ademi, në një prononcim për Radio Kosova ka thënë se kjo rritje e çmimit të faturave kërkohet të bëhet për shkak të çmimeve të larta në derivate dhe produkte të tjera.
Ata kanë kërkuar ndryshim të vlerës së faturave për amvisëritë në territorin e Komunës së Prishtinës, nga 4 euro e 70 centë sa është aktualisht të rritet në 7 euro e 50 centë.
“Kompania Pastrimi tash e sa kohë është duke bërë kërkese e thirrje te komunat ku ne kryejmë shërbime, për rritje të faturës. Kjo kërkesë vjen duke e ditur koston e lartë të derivateve e të çdo produkti që është rritur e në anën tjetër faturat e mbeturinave mbetet e njëjtë. Mirëpo nuk ka ende përgjigje zyrtare për rritje të faturës”, ka thënë Ademi.
Tutje, ajo ka thënë se shpenzimet e mëdha që kanë i kanë sjellur si kompani pranë kolapsit.
“Shpenzimet e larta operative, gjendja financiare, efektet e inflacionit me të cilën jemi duke u përballur, na ka sjellë pranë kolapsit, andaj e vetmja shpresë për 890 familje jeni ju”, thuhet në emalin e tyre drejtuar Komunës së Prishtinës.
