Komisioni e përkrah projektligjin që e synon kapjen e mediave: Bislimi mundohet ta arsyetojë, rrëshqet në banalitet
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal me gjashtë vota pro i ka dhënë përkrahje projektligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, të kritikuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara, Asociacioni i gazetarëve dhe organizatat evropiane të specializuara në fushën e mediave.
Aty, prezent ishte edhe zëvendëskryeministri i vendit Besnik Bislimi i cili u mundua ta arsyetoj këtë projektligj, duke përmendur ndikimin e mediave në formimin e opinionit publik.
“Nga ndikimi i jashtëzakonshëm që kanë televizionet, por edhe platformat me përmbajtje audio-vizuele te publiku, duke ndikuar në formimin e opinionit publik, e në veçanti tek gjeneratat e reja është e qartë se duhet të krijohen rregulla që mbrojnë të miturit dhe fëmijët, që sigurojnë menaxhim të standardizuar, që sigurojnë transparencë pronësore të mediave dhe më e rëndësishmja një datatabazë të mediave që operojnë në treg”, ka thënë Bislimi.
Mdje Bislimi në mënyrë krejt banale e ka komentuar çështjen e mediave.
“Dikush që ka pasë pare, e s’ka ditë çka me ba, s’ka pasë kurfarë ideje të biznesit e ka çelë një media.” – ka thënë Bislimi.
Deputetët opoiztarë që ishin prezent e kundërshtuan projektligjin.
Isak Shabani, nga PDK, ka rekomanduar që ky projektligj të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias.
“Kam disa vërejtje për të cilat nuk do të flas në grupe punuese. Mediat nuk janë të lira me këtë projektligj. Do të ketë mundësi që t’i cungohen disa liri dhe kësaj i vjen era diktaturë”, tha ai
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se ky projektligj po shihet si tendencë e Qeverisë për t’i kontrolluar mediat.
“E them me kompetencë që projektligj i përgatitur nga zyra e kryeministrit ka pasë mostransparencë të madhe sa i përket konsultimeve publike”, tha Tahiri.
Çka pritet të ndryshoj me këtë projektligj?
Ndryshimet e propozuara me këtë Projektligj kryesit godasin Mediat Online. Ato do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja. Deri tash Mediat online janë nën obrellën e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit; Mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja.
Mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro.
KPM-ja aktualisht ka shtatë anëtar. Me këtë projektligj synohet që të zgjerohet numru në 11.
Madje edhe mandate i anëtarëve të KPM-së, pritet të ndryshoj.
“Kurtit kanë me ia pasë lakmi Putini e Lukashenko”: Reagime të ashpra kundër Projektligjit për KPM-në
Një seri reagimesh kundërshtuese kanë pasuar pas njoftimit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) se “projektligji i ri ndryhon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror”.
“Propozimi ligjor – për herë të parë në historinë e re të Kosovës - ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video (tutje: mediat online) nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror. Ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë europian janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Europës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)”, shkruhet ndër tjera në reagim.
Juristja e mediave, Flutura Kusari është shprehur e shqetësuar më draftligjin për KPM-në.
“Thellësisht e shqetësuar me draftligjin për Komisionin e Pavarur për Media përmes së cilit për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshohet radikalisht mënyra e rregullimit të mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror”, tha ajo.
Ndaj projektligjit të ri për KPM-në, ka reaguar edhe analisti Lirim Mehmetaj.
Mehmetaj ka thënë se sheh dritë pozitive pasi sipas tij, mund të ketë reagime dhe kundërshtime kunder “pushtuesve”.
“Meqë kështu ashtu qeveria ka tendenca autoritare/diktatoriale, sa më shpejt që i fillon hapat ekstremë të kontrollit, aq më shpejt vërehet, e potencialisht krijohet edhe masa e nevojshme kritike për t’i kundërshtuar këta pushtues (kundërshtim të vërtetë, jo si partitë opozitare sot).” – ka shkruar ai.
Më tej, ai ka thënë se tashmë edhe videot e VV-së do të kontrollohet nga KPM-ja por nuk pret për videot e tyre linçuese të dënohen nga ta.
“Edhe, ndoshta ia shohim hajrin kësaj rregullore se tash edhe videot propagandistike të Manxhukës/Vetëvendosjes në stilin e karamuratit me rrena, gjuhë të urrejtjes e linçime, janë material që trajtohet nga KPM-ja.” – ka shkruar ai në Facebook.
Në një postim, Dafin Demaku, gazetare dhe analiste, ka komentuar nismën e re ligjore të Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas Demakut, Qeveria Kurti po synon t’i kontrollojë mediet.
“Me Projektligjin e ri per KPM-ne, Qeveria Kurti po synojka me i kontrollu mediat, duke i kercenu me gjoba deri ne 40 mije euro.
Sipas ligjit, secila media online duhet t’i nënshtrohet licensimit shtetëror (pushtetit, në kontekstin e Ballkanit).” – shkroi ajo, ndër të tjera.