Komisioni, KPM dhe KMShK: Tri raporte e konfirmojnë se RTK-ja e shkeli etikën me lajmin e rremë kundër Nacionales
Në tri institucione të ndryshme tek të cilat ka kaluar deri tash raportimi skandaloz i RTK-së për lajmin e rremë kundër Nacionales, është konstatuar se televizioni publik i Kosovës e ka shkelur etikën. Megjithatë, deri më tash, asnjë masë nga askush nuk është marrë për raportimin se kinse “Nacionale paguhet nga Serbia”.
Komisioni i brendshëm i Radiotelevizionit të Kosovës. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Komisioni i Pavarur për Media. Të tri këto komisione, kanë konfirmuar se RTK-ja ka raportuar njëanshëm dhe e ka shkelur etikën, kur ka transmetuar lajmin e Slobodna Bosnës, se kinse Nacionale paguhet nga Serbia.
Në të tri raportet, është konfirmuar ajo për të cilën pati shumë reagime: lajmi dhe raportimi ka qenë i pabalancuar, dhe ka pasur shkelje të etikës. Pavarësisht kësaj, askush nga RTK-ja nuk ka marrë asnjë masë ndaj atyre që e iniciuan këtë lajm, të cilin pushteti e shfrytëzoi për ta goditur Nacionalen.
Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e drejtorit të TV-së në RTK, aktivistit të VV-së, Rilind Gërvallës, për ta pyetur rreth tri raporteve që kanë konfirmuar shkeljet e rënda, megjithatë ai nuk ka kthyer përgjigje.
Komisioni i brendshëm
Me publikimin e lajmit të Slobodna Bosnës në portalin e RTK-së dhe edicionin qendror të lajmeve, JANË SHKELUR STANDARDET PROFESIONALE.
Ky është konstatimi kryesor që e ka nxjerr komisioni i RTK-së lidhur me publikimin e lajmit ku Nacionale dhe Periskopi u akuzuan se janë media të financuara nga Serbia.
Gazeta Nacionale e ka siguruar ekskluzivisht raportin e Komisionit i cili është dorëzuar në zyrën e U.D Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. Me qëllim të ruajtjes së burimit, dokumenti nuk do të publikohet. Megjithatë, ajo që konstatohet në raport, është se artikulli i ka shkelur standardet profesionale të përcaktuara me legjislacionin e RTK-së.
“Pavarësisht nga kjo gjendje, në materialin/informacionin e publikuar/transmetuar në Portalin/Edicionin Qendror të Lajmeve, të datës 22 korrik 2024, nuk janë ndjekur parimet e raportimit objektiv dhe përcaktimet nga dokumenti i RTK-së, "Standartet Profesionale dhe Parimet Etike të Gazetarisë në programet e Radiotelevizionit të Kosovës". Raportimi i thjeshtëzuar që saktësinë e informacionit e barasvlerëson me saktësinë në përkthim dhe që mjaftohet me atribuimin në burimin original të materialit të përkthyer, nuk përmbushë parimet e raportimit objektiv dhe përcaktimet nga "Standartet Profesionale dhe Parimet Etike të Gazetarisë në programet e Radiotelevizionit të Kosovës". Në rastin e shqyrtuar nga ne nuk ka pasur përpjekje për të siguruar qëndrimin e palëve tjera”, thuhet në raportin e Komisionit të RTK-së të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale nga burimet e veta.
Në raportin e Komisionit të RTK-së, konfirmohet se lajmi i parë i publikuar në portalin e RTK-së është ndryshuar. Pra, artikulli në fillim kishte emrat e Nacionales dhe Periskopit, e më pas emrat janë larguar.
"Versioni i artikullit i datës 22.07.2024, ora 15:00, përmban artikullin në fjalë të papublikuar (unpublished), i cili përmban tekstin në fjalë ku përmenden dy portale. Mirëpo, data dhe ora e publikimit të artikullit është 22.07.2024 - ora 14:43, që në gjykimin tonë, duke u bazuar në këto të dhëna i bie që artikulli është bërë unpublish ndërmjet orës 14:43 15:00." (Nga raporti i TI-së, datë 29.07.2024)”, thuhet në raport.
Madje, fillimisht artikulli ishte publikuar, kishte qëndruar publik për 17 minuta, dhe më pas ishte larguar. Artikulli fillestar pra, akuzonte Nacionalen e Periskopin se financohen nga Serbia, duke cituar një lajm nga një portal fantom boshnjak.
“Bazuar në këtë raport të dërguar nga TI-ja, si dhe në bisedën që anëtarët e komisionit kanë pasur me udhëheqësin e TI-së në RTK, më 31.07.2024, në orën 11:00, është konstatuar se artikulli ka qenë publik nga një periudhë kohore prej 17 minutash (14:43 - 15:00), por nuk është arritur të konfirmohet saktësisht se gjatë kësaj periudhe prej 17 minutash, për sa kohë ka qenë i publikuar artikulli me emrat e portaleve, (20 sekonda, një minutë, apo 17 minuta)? Po ashtu, nuk është arritur që të konstatohet se nga kush është publikuar artikulli, meqë në sistem për publikim në ueb, sipas TI-së dhe redaktorëve të uebit, kanë qasje mbi 15 veta”, thuhet në raportin e Komisionit në përbërje nga: Mendu Hysa, Gjylie Rexha dhe Pajazit Krasniqi.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka miratuar plotësisht ankesën e Gazetës Nacionale kundër Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për raportimin skandaloz, duke cituar median boshnjake “Sllobodna Bosna”, ku sulmohet Nacionale e Periskopi. KMShK ka gjetur se RTK-ja ka shkelur tre kapituj të Kodit të mediave të shkruara në Kosovë.
Në mbledhjen e mbajtur të KMShK-së është miratuar ankesa e Nacionales kundër RTK-së për publikimin e lajmit të paverifikuar të gazetës boshnjake.
KMShK ka gjetur se RTK-ja ka shkelur kapitujt e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, si “raportimi i së vërtestës, nxitja dhe gjuha e urrejtes dhe e drejta për t’u përgjigjur."
“Pas reagimit të palëve, media kishte larguar emrat Nacionales dhe Periskopit. Pala ankuse pretendon se shkrimi i publikuar bie ndesh me kapitujt II (raportimi i së vërtetës), III (nxitja dhe gjuha e urrejtjes) dhe IV (e drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.”
“Lajmi është publikuar në median online dhe objekt i kësaj ankese është teksti i shkruar, rrjedhimisht ankesa është e lejueshme për trajtim dhe e afatshme. Pas shqyrtimit të ankesës, KMShK gjen se ankesa është e bazuar. Pra, miratohet.” – thuhet në vendimin e KMShK-së.
“KMShK ka gjetur se media nuk i ka kontaktuar mediat e përmendura, përkatësisht përfaqësuesit e tyre, ashtu siç kërkon Kapitulli IV i kodit të etikës, për më tepër që rasti për të cilin ka raportuar është i ndjeshëm dhe me pasoja për median.”
“KMShK ka gjetur se media nëpërmjet publikimit të artikullit ka ndikuar negativisht dhe ka nxitur urrejtjen kundrejt dy mediave të tjera, duke shkelur Kapitullin III të kodit të etikës. Andaj, KMShK vendos që ankesa të miratohet.” – thuhet në këtë vendim.
Komisioni i Pavarur për Media
Komisioni i Pavarur për Media e ka aprovuar ankesën e Nacionales kundër RTK-së.
Në vendimin e KPM-së thuhet se RTK-ja me raportimin e Slobodna Bosnës në edicionin e lajmeve, ka bërë shkelje të etikës.
Në atë raportim, u akuzua Nacionale se paguhet nga Serbia.
Sipas KPM-së, RTK-ja ka bërë raportim të pa mbështetur në fakte, vetëm me një burim, dhe në mënyrë të njëanshme.
“KPM ka analizuar ankesën dhe përgjigjen e palës përgjegjëse dhe bazuar në raportin e monitorimit të datës 16 gusht 2024 ka gjetur se pala përgjegjëse gjatë transmetimit të edicionit qendror të lajmeve ka transmetuar një lajm i cili nuk mbështetet në fakte, por vetëm në një burim mediatik (Slobodna Bosna), duke dështuar të marrë edhe qëndrimin e palëve tjera të përfshira në kontekst, fakt ky i cili ka rezultuar me transmetimin e lajmit në mënyrë të njëanshme”, thuhet në vendim.