Komisarja e Kurtit tenton të përqesh fushatën e PDK-së dhe LDK-së, “harron” se VV-ja ende nuk e ka prezantuar programin
Ndryshe nga partia në pushtet, subjektet opozitare deri me tani i kanë prezantuar programet e tyre politike me të cilat synojnë t`i fitojnë zgjedhjet e 9 shkurtit. Prezantimi i programeve dhe aktiviteteve të shumta elektorale të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, duket se nuk po i pëlqejnë partisë në pushtet.
Ndonëse partia e Albin Kurtit deri me tani nuk ka publikuar asnjë paragraf të programit të saj për zgjedhjet e ardhshme, zyrtarët e lartë të VV-së kanë tentuar të përqeshin fushatën e opozitës.
Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, është munduar të tallet me fushatën e PDK-së dhe LDK-së.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se fushatat e këtyre partive politike po duken qesharake.
"Më falni për ndërhyrjen në fushatë - po kjo me "expresso" e PDK-së dhe disa me "kolltuqe" të LDK janë duke i bë konkurrencë të hatashme shtyrjes së autobusit në 2019. Edhe ashtu viti i ri afër, humor kudo.", ka shkruar Mihali.
Derisa MIhali ka tentuar të tallet me fushatën e opozitës, njohësit e rrethanave politike janë habitur me partinë në pushtet, e cila ende asgjë nuk ka prezantuar për mandatin e ti.
Madje, analistët politikë kanë kritikuar edhe listën e kandidatëve të VV-së për deputetë, duke e cilësuar si më të dobët në krahasim me listat e opozitës.
Analisti Dukagjin Gorani ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV), duke thënë se partia në pushtet po synon të mbledhë mbi 500 mijë vota me qëllimin e qartë që opozita të mbetet pa mundësi për të fituar pushtetin.
Gjatë një paraqitje në "Pressing" në T7, Gorani ishte tejet kritik ndaj VV-së në prag të zgjedhjeve të ardhshme, duke ngritur pikëpyetje mbi mungesën e një programi të qartë qeverisës.
“Ti e sheh listën e VV-së dhe thua për çka garoni ju? Program qeveritar nuk keni. Kemi qenë në pushtet katër vjet si qeveri, e kemi përmend edhe 4 vjet (flet për VV-në). ‘Four more years’ që thojnë në Amerikë gjatë zgjedhjeve. ‘Four more years of ëhat?’ Katër vite të çkafit?. Çfarë lloji i qeverisjes ka qenë këto katër vjet që me mujtë me kualifiku si vazhdimësi”, ka thënë Gorani.
Nga dje, kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka filluar takime me qytetarë nëpër Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Hamza ka thënë se do të takohet me qytetarë, të pi kafe me ta dhe me biseda të sinqerta, pa fjalime politike, do të flas me qytetarët për atë që vërtet ka rëndësi për ta dhe Kosovën.
“Shumë prej jush më keni shkruar gjatë kësaj kohe. Këto ditë do të jem gjithandej nëpër Kosovë për të pirë ☕ dhe për t’ua treguar planet e mia. Me biseda të sinqerta, pa fjalime politike, do të flasim për atë që vërtet ka rëndësi për ju dhe Kosovën”, ka shkruar Hamza.
Ai sot kafen e mëngjesit e ka pirë me doktoreshën Adrianë, me të cilën ka biseduar për rritjen e pagave 50% për mjekët dhe personelin shëndetësor.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se rritja e pagave për këtë sektor do të ndikojë në përmirësimin e mirëqenien e personelit shëndetësor.
“Rritja 50% e pagave do ta përmirësojë mirëqenien e personelit shëndetësor dhe do t’i motivojë të qëndrojnë në Kosovë për ta ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm për qytetarët tanë”, ka shkruar Hamza.
Në anën tjetër, edhe LDK-ja ka vazhduar prezantimin e programit të saj politike nëpër gjithë Kosovës. Krahas aktiviteteve tjera, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka publikuar një seri të videove ironizuese për Qeverinë Kurti.