Kollapsimi i KEK-ut, Krasniqi: Kërkoj urgjentisht nga Qeveria në largim që t’u japë qytetarëve një sqarim - NACIONALE

Kollapsimi i KEK-ut, Krasniqi: Kërkoj urgjentisht nga Qeveria në largim që t’u japë qytetarëve një sqarim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar për situatën e fundit në fushën e energjisë.

Ai ka bërë me dije se paralajmërimi i konsumit të brendshëm të energjisë do të mbulohet tërësisht nga importi, është tregues alarmues i gjendjes në sektorin energjetik të vendit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka thënë se fajtor për këtë gjendje është Qeveria Kurti.

Ai ka kërkuar nga Qeveria në largim që t’u japë qytetarëve një sqarim.

“Paralajmërimi i fundit nga KESCO, se konsumi i brendshëm i energjisë do të mbulohet tërësisht nga importi, është tregues alarmues i gjendjes në sektorin energjetik të vendit dhe pasojë e qartë e dështimit të Qeverisë Kurti për të garantuar siguri energjetike. Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor, por sot qytetarët, përveç se po përballen me çmime marramendëse të energjisë, po përballen edhe me pasiguri dhe kërcënim me reduktime të furnizimit, pa asnjë transparencë. Prej përfundimit të luftës nuk ka ndodhur që mos të ketë fare prodhim të energjisë nga KEK-u!”, ka shkruar ai, duke ia shtruar disa pyetje Qeverisë Kurti.

“Në emër të interesit publik, kërkoj urgjentisht nga Qeveria në largim që t’u japë qytetarëve një sqarim të plotë dhe të qartë:
• Pse KEK-u nuk po arrin të prodhojë energji?
• Cilat janë arsyet e degradimit të kësaj ndërmarrjeje strategjike?
• A është kjo gjendje pasojë e sabotimit të qëllimshëm ndaj KEK-ut?
• A kanë dorë mafia energjetike dhe sekserët e tregtisë me energji për gjendjen aktuale?
• Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë të rëndë? Energjia është çështje e sigurisë kombëtare – dhe kjo krizë kërkon urgjentisht veprime, jo arsyetime”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të ngjashme