Kokalari: Edhe mbështetësit e Kurtit do ta kuptojnë dëmin që ai po ia bën Kosovës
Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, i ka vlerësuar si të pakuptimta dhe të padrejta kritikat që kryeministri Albin Kurti ka pasur për ish-ambasadorin Richard Grenell.
Përkrahësja e ish-presidentit Trump, ka thënë se kritikat e tij kanë qenë një dëm në kurriz të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Kokalari ka deklaruar se do të vijë dita kur edhe mbështetësit e Kurtit do ta kuptojnë dëmin që ai po i bën Kosovës.
Nacionale:
Znj. Kokalari, z. Berisha, të cilin e keni përkrahur ju tashmë, është zgjedhur në krye të PD-së. Si e vlerësoni rizgjedhjen e tij?
Kokalari:
Shpëtimtare për Shqipërinë. Sali Berisha ishte e vetmja shpresë për të rindërtuar opozitën në Shqipëri, atë opozitë që Edi Rama së bashku me Lulzim Bashën e kishin çuar në shuajtje totale.
Nacionale:
Sa do ta penalizojë kjo PD-në meqenëse Berisha është shpallur “non grata” nga SHBA-ja?
Kokalari:
Nuk e shoh problematike sidomos duke pasur parasysh që rasti i z. Berisha do të ngelet i hapur të paktën përpara Kongresit. Fakti ngelet që kongresmenit Lee Zeldin akoma nuk i janë çuar faktet e korrupsionit të z. Berisha megjithëse i ka kërkuar tri herë nga Departamenti i Shtetit. Kjo do të thotë që gjithmonë do të këtë pikëpyetje mbi sanksionet e Sali Berishës dhe vërtetësinë e tyre.
Nacionale:
Berisha kishte paralajmëruar se do ta unifikonte PD-në, por po shihet qartë se nuk e ka arritur një gjë të tillë. Çka duhet të bëjë Berisha për ta bashkuar partinë?
Kokalari:
PD-ja është e bashkuar si kurrë më parë. Grupi parlamentar mund të këtë përçarje, por mos të harrojmë, ata që nuk i janë bashkuar zotit Berisha, janë pikërisht ata që kanë hyrë në parlament me listat e mbyllura dhe jo me fitore elektorale, prandaj dhe për mendimin tim, këta do t’i largojë vetë elektorati në zgjedhjet e ardhshme.
Nacionale:
Shqipëria tani është në proces të zgjedhjes së presidentit të ri, por pozita dhe opozita ende nuk kanë arritur një pajtim për këtë çështje. Kush duhet të jetë president i ri, sipas jush?
Kokalari:
Pozita nuk ka folur kurrë me opozitën. Enkeled Alibeaj nuk përfaqëson opozitën dhe është shkarkuar nga çdo detyrë në kuvendin e 11 dhjetorit. Pozitës prandaj u intereson Alibeaj, sepse nuk ka asnjë forcë. Si e tillë, Presidenti do të ngelet të jetë dikush që i intereson Ramës dhe administratës së tij dhe jo shqiptarëve. Është fatkeqësi, por është realitet. Shqipëria ka nevojë për një President që do ta bashkonte popullin, dhe jo një vegël shtesë për Edi Ramën.
Nacionale:
Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen e Ramës?
Kokalari:
Qeverisja e mirë vlerësohet në bazë të mirëqenies së popullit. Shqiptarët janë tmerrësisht të varfër, dhe është kjo varfëri që ka detyruar shumë të rinj të marrin rrugët e mërgimit. Ja, kjo është busulla më e mirë e qeverisjes Rama.
Nacionale:
Si do ta vlerësonit qasjen e administratës Biden ndaj Shqipërisë dhe Kosovës?
Kokalari:
Komplet indiferente. Arriti Albin Kurti ta takojë Biden-in në Shtëpinë e Bardhë gjatë vizitës së tij në Amerikë? Flas për atë Joe Biden që Albini e mbështeti fuqishëm dhe kundrejt çdo norme etike dhe diplomatike, ju kërkoi shqiptarëve ta votonin në nëntor të 2020-ës. Këtu sheh qartë naivitetin e politikanëve tanë dhe indiferencën e administratës së Bidenit kundrejt shqiptarëve. Është kaq e thjeshtë.

Nacionale:
Së fundi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë në SHBA. Sa e keni përcjellë vizitën e tij, cili është vlerësimi juaj për këtë vizitë?
Kokalari:
Më vjen mirë që Albini është takuar me senatorë republikanë, sepse ata janë e vetmja shpresë, jo vetëm për amerikën, por për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë botën.
Nacionale:
Kurti ka kritikuar vazhdimisht administratën Trump, sidomos ish-ambasadorin Grenell, të cilët i keni përkrahur ju. Kanë qenë të drejta kritikat e Kurtit?
Kokalari:
Absolutisht jo. Kritikat e pakuptimta të Albinit kanë qenë një dëm në kurriz të Kosovës. Do të vijë një ditë që edhe mbështetësit e Albinit do ta kuptojnë dëmin që Albin Kurti do t’i sjellë vendit të tij. Një shtet nuk ka nevojë për ideolog në krye, por për njerëz të aftë që dinë të lënë emocionet mënjanë dhe me mençuri dhe diplomaci, përparojnë ekonominë dhe sigurinë e shtetit dhe të popullit të tyre. Fatkeqësisht, Albini nuk është i prerë për këtë.
Nacionale:
Këto kritika të Kurtit, a mund të ndikojnë në raportet në mes të dy vendeve?
Kokalari:
Nuk e besoj, dhe në të shkuarën thjesht zgjatën procesin, por nuk arritën ta dëmtojnë marrëveshjen ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë. Gjithsesi në të ardhmen shqiptarët seriozisht duhet të gjejnë liderë të aftë që do ta nxjerrin Kosovën dhe Shqipërinë nga varfëria ku gjenden.
