Klan Kosova përgatit kallëzim penal ndaj ministres Hajdari dhe drejtoreshës së ARBK-së
Mediumi “Klan Kosova” ka bërë të ditur se është duke bërë përgatitje për kallëzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi.
Ky medium ka raportuar se një vendim i tillë, ka ardhë pas “nxjerrjes së vendimit të kundërligjshëm për suspendimin e licencës biznesore” të këtij mediumi.
Madje, tutje raportohet se veprat për të cilat ngarkohen, parashohin dënim deri në pesë vjet.
Vlen të theksohet se ministrja Hajdari ka thënë që arsyeja pse është pezulluar certifikata e biznesit, ka të bëjë me adresën “Gjakovë, Serbi” dhe “Pejë, Serbi”.
“Arsyeja se pse është pezulluar çertifikata e biznesit, vendimi që është marrë dje. Që të jemi të qartë edhe njëherë se dokumentacioni me adresë Gjakovë/Serbi dhe aq më tepër Pejë/Serbi është veprim shumë i rëndë para ligjit, para Kushtetutës dhe është e papërgjegjshme kjo situatë. Dhe për këtë arsye ne e kemi proceduar për hetime.” – u shpreh ajo.
Tutje, Hajdari ka thënë se ARBK-ja e trajton rastin e kompanisë si biznes, ndërsa Komisioni i Pavarur i Mediave do të merret më shumë me rastin.
“Por, siç e dini ARBK e trajton rastin e kompamisë vetëm si biznes, çështjet e mediave si të tillë trajtohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe as ne e as qeveria as nuk hap e as nuk mbyll media.” – ka deklaruar tutje.
